75 Mall Live Search
07:57 / E Premte, 09 Janar 2026 / Z S

Gërvalla për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së: Nuk mund të jap propozime dhe gjykime konkrete pa parë dokumentacionin

Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla e ftuar në emisionin Politiko, deklaroi se nuk mund të japë propozime konkrete apo gjykime pa parë më parë dokumentet përkatëse dhe pa hyrë në detaje mbi faktet dhe letrat që lidhen me proceset e gjykimit të ish-krerëve të luftës në Hagë.

Gërvalla në Politiko tha se është shumë e qartë lidhur me angazhimin e saj për drejtësinë – si atë kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare. Ajo theksoi se është personi i fundit që do të donte që çështjet të trajtoheshin në Hagë, për shkak të imazhit negativ që lidhet me atë institucion nga vendet ku janë gjykuar kriminelët më të mëdhenj të Ballkanit, duke theksuar se në ato procese asnjë përfaqësues i shoqërisë kosovare nuk duhet të ishte prezent.

Gërvalla tha se në një moment të caktuar ka qenë e pyetur rreth çështjeve që nuk kanë qenë më në dorën e saj dhe se vendimet për të dërguar procese drejt Hagës janë marrë më herët. Ajo kujtoi se, gjatë kohës kur ka shërbyer si ministre e Punëve të Jashtme, ka garantuar që institucionet e Kosovës, përfshirë misionin në Hagë, të angazhohen maksimalisht për trajtimin e rasteve – duke siguruar mbështetje të duhur për familjarët dhe për të akuzuarit, sipas kapaciteteve dhe mandatit të tyre.

Gërvalla theksoi se është jonkorrekte që të flasë për detaje të proceseve që supozohet të kenë ndodhur në periudha të mëparshme, për të cilat ajo tha se nuk ka informacion të plotë apo dokumentacion të verifikuar në dorë./Indeksonline/