75 Mall Live Search
18:23 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / Z S

Gërvalla takon gazetarët ukrainas në Kosovë: Mbrojtja e fjalës së lirë është mbrojtje e vetë lirisë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim gazetarë nga Ukraina, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarë në Rezidencë”, i mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes MPJD-së.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gërvalla u shpreh e kënaqur që institucionet e Kosovës kanë mbështetur këtë projekt, i cili u ka ofruar gazetarëve ukrainas siguri dhe mbrojtje, duke u mundësuar vazhdimin e punës së tyre profesionale.

Postimi i plotë:

Në pritjen e ngrohtë me gazetarët ukrainas, të cilët tash e ca vite e ndjejnë Kosovën si shtëpinë e tyre të dytë.

Bashkëbisedim i sinqertë, energji e mirë dhe vlerësim pafund për punën që ata bëjnë çdo ditë, për përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe për besimin e vazhdueshëm në atë se mbrojtja e fjalës së lirë është pjesë e mbrojtjes së vetë lirisë.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht luftën e Ukrainës për paqe, liri dhe demokraci, duke qëndruar pranë rezistencës dhe vendosmërisë së popullit ukrainas në mbrojtje të vendit dhe popullit të vet. Solidariteti ynë me Ukrainën buron nga i njëjti shpirt liridashës dhe nga bindja se fjala e lirë dhe e drejta për të jetuar i lirë mbeten të shenjta, të pathyeshme, të pakompromentuara dhe kurrë të negociueshme.

Liri Ukrainës!

Slava Ukraini!