75 Mall Live Search
22:26 / E Martë, 25 Qershor 2024 / Gj. Sh

Gërvalla takon homologun lituanez, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, njëherit, President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Gabrielius Landsbergis.

MPJD përmes një komunikate ka njoftuar se në këtë takim është folur për përmbylljen e procesit të anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës pas mbështetjes prej 82 për qind të votave që i dha Asambleja e Përgjithshme anëtarësimit në KiE dhe fuqizimi i bashkëpunimit në rrugën euroatlantike të Kosovës.

“Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla, e shoqëruar nga Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Ambasadori Lulzim Hiseni e uroi Ministrin Landsbergis për marrjen e Presidencës së Këshillit të Evropës dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen që Lituania i ka dhënë Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Më tej Ministrja Gërvalla theksoi se, ashtu siç ka konfirmuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe ofroi bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me qëllim që sa më parë të mund të mblidhet Komiteti i Ministrave për të marrë vendimin historik për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet tutje në komunikatë.