22:32 / E Enjte, 30 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Gërvalla takon homologun senegalez, e fton për vizitë në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pritur në një takim dypalësh nga Ministri i Jashtëm i Senegalit, Ismaila Madior Fall.

Gërvalla falënderoi homologun e saj për mikpritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e ofruar nga Senegali për Kosovën.

Të dy, ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, përderisa shprehën përkushtimin dhe vullnetin e dyanshëm për zgjerimin e këtij bashkëpunimi ndërshtetëror në fushat e interesit reciprok.

“Me qëllimin e konkretizimit të këtij bashkëpunimi në fusha specifike dhe programe të veçanta, Ministrja Gërvalla dhe Ministri Madior FALL u dakorduan për caktimin e datës për konsultimet politike në mes dy vendeve”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Në fund të takimit, Gërvalla ftoi ministrin Madior Fall për vizitë në Kosovë, propozim ky që u mirëprit nga homologu i saj.