Gërvalla thotë se u “spekulua” për Martin Berishajn: Nuk shkarkohet – s’ka fakte

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk e ka në plan ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Nuk kam asnjë kërkesë për shkarkimin e ambasadorit Berishaj, nuk shkarkohet ambasadori për një lajm në media dhe për një spekulim, është papërgjegjësi totale. Nëse unë adresoj në institucione të tre shteteve që përmendën në ato spekulime dhe nuk kam asnjë fakt, unë do ta quaj spekulim”, tha Gërvalla në një intervistë në Kanal 10.
“Nuk ka asgjë deri sot për ambasadorin Berishaj, por veç fushata denigruese. Në rastin e ambasadorit Berishaj është tepruar, ata që i kanë këto pretendime le të na sjellin faktet. Berishaj ka shkuar është paraqitur në prokurori dhe në komisionin hetimor parlamentar”, shtoi kryediplomatja kosovare.
Gjatë muajit mars, Berishaj ishte intervistuar në Prokurorinë Speciale si i dyshuar për shpëlarje të parave.