23:29 / E Hënë, 13 Qershor 2022 / AR

Gërvalla u kundërpërgjigjet kritikuesve, shpërndanë videon ku përplaset me Selakoviqin për UÇK-në

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, iu është kundërpërgjigjur kritikuesve të saj që po ia kërkojnë dorëheqjen, pasi të dielën ajo nuk e përmendi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Ditën e Çlirimit.

Megjithatë, Gërvalla sonte e shpërndau një video si reagim ndaj atyre që po hedhin kritika ndaj saj. Aty dëgjohet duke e përmendur UÇK-në.

Ajo në një ballafaqim me homologun serb, pati deklaruar se ushtarët e UÇK-së mbrojtën vendin dhe shtëpitë e tyre.

Mes tjerash, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ia kishte thënë në sy ministrit serb, Nikola Selakoviq, se “nuk kemi nevojë të krijojmë kasapë të rinj”, pasi të gjithë e dinë të vërtetën dhe se ai është Sllobodan Millosheviq.

Një deklaratë të tillë Gërvalla e kishte dhënë në prill të këtij viti, gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në mbishkrimin e videos së publikuar në Facebook, ajo shkroi se “kontributi im në një debat të përsëritur dhe tendencioz”.

“E vërteta gjithmonë e mund gënjeshtrën, sado e zëshme të jetë kjo e fundit”, thuhet në mbishkrim.