Gërvalla vizitë në Austri, zhvillon disa takime të rëndësishme

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Austrisë, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, takoi edhe ministren austriake për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutë, Karoline Edtstadler.
Ajo në takim me ministren Edtstadler bisedoi për integrimin evropian të Republikës së Kosovës, reformat që po bëhen në ekonomi, administratë dhe drejtësi.
Mes tjerash ministrja Gërvalla-Schwarz nënvizoi zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës, sfidat me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës si pasojë e krizës së madhe botërore në fushën e energjisë dhe të ekonomisë si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit edhe më të dendur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Austrisë.
“Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz e ftoi ministren austriake Karoline Edtstadler që të jetë
pjesëmarrëse në “Women, Peace, Security Forum” që organizohet më 22-23 tetor në Prishtinë nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, njoftoi MPJD-ja.
Gjithashtu në takimin e Gërvallës me homologun austriak, Alexander Schallenberg, u bisedua për bashkëpunim tradicional, miqësor të bazuar në besim të ndërsjellët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë.
Ajo gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Austrisë, ku po qëndron me ftesë të homologut austriak, nënvizoi se Austria meriton respekt dhe falënderim të veçantë për mbështetjen e dhënë ndaj shtetit të Kosovës.
Gjithashtu, kryediplomatja kosovare e takoi kryetarin e Parlamentit të Austrisë Wolfgang Sobotka, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë.
Në takim ministrja Gërvalla-Schwarz e theksoi përkushtimin e vendit për t’i realizuar
aspiratat euro-atlantike dhe përcaktimin properëndimor të Republikës së Kosovës.





