75 Mall Live Search
12:49 / E Premte, 25 Gusht 2023 / A. M.

Gërxhaliu: Nga funksionalizimi i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë do të goditet më së shumti diaspora

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, përmes një postimi në rrjetin sociale Facebook, ka thënë se nga funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora.

Ai është shprehur se çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.“Nga funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora.

Çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti. Kjo vjen në shprehje sidomos kur mungon dialogu i mirëfilltë në mes të akterëve relevant brenda një shteti”, shkroi ai.

Gërxhaliu u shpreh se kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit, siç tha ai, pasojat mund të jenë të dëmshme.

Tutje, ai tha se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe funksionalizimi i saj me ketë formë siç po prezentohet dhe në këtë kohë do të jetë, siç u shpreh ai, një goditje direkte për diasporën dhe mërgimtarët.