75 Mall Live Search
08:32 / E Martë, 24 Shkurt 2026 / Z S

Gërxhaliu pas raportit të FMN-së: Ka shumë të meta dhe rekomandime, të cilat vërtet duhet të analizohen

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Onlinen, ka thënë se vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar se ngërçi politik për një vit ka ngadalësuar rritjen ekonomike në vitin 2025 nuk duhet të merret si befasi, por të shërbejë si udhërrëfyes për korrigjime të domosdoshme.

Gërxhaliu theksoi se vlerësoi se bashkëpunimi me FMN-në është thelbësor për orientimin ekonomik të vendit.

“Është e vërtetë që partneriteti mes institucionit të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar është i një rëndësie të pakontestuar. Është një qasje e cila ka multidimensionalitet në vete, nuk është vetëm e rëndësisë ekonomike, por edhe integruese dhe gjeostrategjike, por mbi të gjitha është një partneritet që udhëzon drejt së ardhmes. Nuk duhet të pritet befasi pas vizitave të tilla të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe këto të gjetura dhe raporti i tyre nuk duhet të na habisë, por besoj të gjitha ato gjetje që nuk janë në linjë me vizionin ekonomik të Kosovës, duhet të analizohen me gjakftohtësi, me profesionalizëm dhe ato të korrigjohen dhe të përmirësohen në të ardhmen”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, ndryshe nga raportet e mëhershme, kësaj radhe rekomandimet kanë qenë më kritike dhe në përputhje me paralajmërimet e ekspertëve vendorë.

“Zakonisht në të kaluarën kemi pasur raporte idilike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ku është parë Kosova në dimensionin pozitiv, falë faktit që kemi stabilitet bankar, kemi stabilitet makrofiskal. Mirëpo kësaj radhe besoj kanë qenë disa rekomandime të cilat janë përputhur me të gjitha ato që kanë thënë ekspertët e fushave në Kosovë, që nuk janë të politizuar por i kanë mbështetur rekomandimet e veta në fakte dhe argumente”, theksoi ai për Ekonomia Onlinen.

Ai e pranon se parashikimet për rritje më të ulët ekonomike në vitin 2025 janë shqetësuese, duke përmendur mungesën e investimeve kapitale dhe rritjen e kredive.

“Është fakt që nuk mund të mohohet rritja e ulët ekonomike në Kosovë e paraparë për vitin 2025. Është e vërtetë që kemi mungesë të investimeve kapitale. Është e vërtetë që inflacioni ka bërë të veten, është një rritje e kredive dhe e kamatave që në rrethana të tilla shqetëson, nga fakti që është më tepër se 60% e GDP-së, do të thotë vlera e kredive në Kosovë. Ka shumë të meta dhe rekomandime të cilat vërtet duhet të analizohen”, u shpreh Gërxhaliu.

Ai foli edhe për nivelin rekord të importeve dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendit.

“Kur kësaj i shtohet edhe fakti që kemi një rritje të importit në mënyrë rekorde, afër 7 miliardë euro në vitin 2025, dhe në të njëjtën kohë Dogana e Kosovës krenohet që ka grumbulluar afër 2 miliardë euro të hyra nga doganat, është një e vërtetë që dëshmon faktin që çdo vit (apo në vitin 2025) nga qarkullimi në Kosovë janë tërhequr afër 9 miliardë euro. Dhe një ekonomie të vogël çfarë është Kosova, t’i tërhiqen nga qarkullimi 9 miliardë euro për import, vërtet është një vobektësi e cila duhet të na preokupojë”, tha tutje ai.

Sipas tij, ngecja në projekte kapitale dhe mungesa e projekteve strategjike po e shtyjnë sektorin privat drejt kredive me kamata të larta dhe institucioneve mikrofinanciare.

“Kemi ngecje vërtet të madhe sa i përket investimeve kapitale, qoftë në infrastrukturë, qoftë në hekurudha, por edhe në projekte të tjera. Për të gjitha këto duhet të analizohet dhe vërtet duhet të hapet një frymë e re e partneritetit me sektorin privat. Duhet ky raport të depolitizohet sepse në qoftë se vazhdon kjo ngufatje dhe kjo mungesë e projekteve kapitale (në veçanti ndonjë projekti të madh strategjik), atëherë nuk duhet të na habisë fakti që drejtimi kryesor i sektorit privat janë bankat komerciale, janë kreditë me kamata të larta. Është roli i institucioneve mikrofinanciare të cilin Fondi Monetar Ndërkombëtar e alarmon dhe duhet të ketë rishikim. Po shohim që çdo ditë kemi dukuri të rritjes së numrit të fajdeve, sepse në qoftë se në biznes nuk mund të bësh me të mirë dhe nuk guxon të bësh me të keq, atëherë duhet të bësh si të bëhet. Dhe në këtë drejtim po shohim që edhe këto dukuri kanë marrë përmasa të shumta”, potencoi ai.

Gjtihashtu, ai bëri thirrje për disiplinë financiare dhe depolitizim të vendimmarrjes ekonomike.

“Prandaj, duhet disiplinë financiare, duhet dialog dhe jo gjithmonë të jetë ndarja e subvencioneve dhe transferove prioriteti, sepse barazia në varfëri e një shteti është rreziku më i madh që i kanoset atij. Prandaj, besoj që këto rekomandime duhet të analizohen me profesionalizëm dhe vitin tjetër Fondi Monetar Ndërkombëtar të mos i gjejë të njëjtat. Mirëpo fakti që ka simptoma që do të jemi prapë në zgjedhje në këtë vit, besoj që këto rekomandime do të hasen në vesh të shurdhët dhe do të vazhdohet me avazin e vjetër për të bërë ekonomi bazuar në vullnetin e politikës dhe jo të ekspertizës së sektorit privat”, shtoi Gerxhaliu.

Disa nga vërejtjet e FMN-së janë:

1. RRITJA EKONOMIKE: ka rënë në 3.25 për qind në fund të çerekut të tretë të vitit 2025, nga 4.75 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo ka ardhur si rezultat i dobësimit të konsumit dhe investimeve private për shkak të ngadalësimit të aktivitetit kreditor dhe të të ardhurave reale. Rritja ekonomike sivjet pritet të shkojë në 3.8 për qind dhe eventualisht të konvergojë me normën e rritjes potenciale prej 4 për qind.

2. INFLACIONI: në dhjetor 2025 u rrit në 5.25 për qind, krahasuar me një vit më parë kur ishte vetëm 1.1 për qind. Kjo rritje erdhi për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.

3. BILANCI TREGTAR: është përkeqësuar për shkak të rritjes së importeve, sidomos të importit të energjisë. Si rezultat, është zgjeruar deficiti i llogarisë rrjedhëse me jashtë në 9.6 për qind të vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto, nga 8.4 për qind sa ishte në 2024.

4. PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK: duhet të ndërlidhen me normën e inflacionit.

5. PAGA MINIMALE: duhet të përcaktohet duke balancuar produktivitetin e punës dhe koston e jetës.

6. SHPENZIMET NË MALLRA DHE SHËRBIME: duhet të identifikohen mundësitë për kursime.

7. KREDITË BANKARE: kanë arritur nivelin prej 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, që është ndër më të lartat në vendet evropiane me ekonomi në zhvillim, të cilat duhet të mbikëqyren në veçanti sa i përket ekspozimit të bankave ndaj sektorit të patundshmërive.

8. INSTITUCIONET MIKROFINANCIARE: duhet të ndërmerren masa për të mbikëqyrur këto lloj institucionesh financiare jobankare, në mënyrë që të ruhet integriteti i sistemit financiar, të mbrohen klientët, si dhe të zbatohen praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim.