Gërxhaliu: Tregti spekulative në Kosovë, lufta do të shfrytëzohet për shtrenjtim të naftës, të veprojë inspektorati

Rritja e çmimeve të derivateve të naftës si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme po prek rëndë ekonominë e Kosovës, ndërsa vendi përballet me mungesë të rezervave strategjike dhe me një rritje të përgjithshme të kostove të jetesës, vlerësoi njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Ai në intervistë për Ekonomia Online vuri në dukje se ndikimet e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Iranit, të përshkallëzuar më tej me përfshirjen e SHBA-së dhe bombardimet në qendrat bërthamore iraniane, janë ndjerë menjëherë edhe në Kosovë.
“Në kohën e globalizmit nuk ka distancë ekonomike. Çdo tronditje e bursave, tregjeve financiare përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Në këtë drejtim besoj që efektet negative të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit kanë filluar që herët për t’u reflektuar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera për ngritje të çmimit të derivateve të naftës”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, situata është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të pozicionit gjeostrategjik të ngushticave detare përmes të cilave kalon pjesa më e madhe e naftës globale.
“E tëra kjo ka marrë një dimension tjetër me involvimin e SHBA-së dhe me bombardimin e qendrave bërthamore në Iran që në aspektin strategjik ka efekt edhe më agresiv që të shfrytëzohet ky momentum për të bllokuar furnizimin e rregullt të tregut me derivate të naftës dhe me gaz. E tëra kjo do të ndikojë në mënyrë direkte, indirekte apo edhe për ngritjen e çmimeve dhe shërbimeve, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë,” tha ai, duke përmendur ngushticat strategjike të Hormuzit dhe Mallakës si pika kyçe të tranzitit të naftës në botë.
Përveç çmimeve të naftës, Gërxhaliu vuri në pah edhe faktorë të tjerë, si mungesa e prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe importi i plotë i saj, e bëjnë Kosovën veçanërisht të ndjeshme ndaj krizave globale.
“Të gjitha vendet janë të goditura. Kosova është më tepër e goditur nga fakti që në njëjtën kohë, kur kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike, kur kemi vetëm import të energjisë elektrike, tani kemi edhe një tentativë apo një rritje graduale të çmimit të derivateve të naftës që po e godet, jo vetëm qytetarin, por edhe sektorin privat, në veçanti atë prodhues” tha ai.
Gërxhaliu paralajmëron se situata po ndikon direkt në uljen e fuqisë blerëse dhe varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve.
“Po bie konkurrueshmëria, po varfërohet më tepër shporta e qytetarëve dhe në këtë drejtim fuqia blerëse në Kosovë është çdo ditë më e ulët nga fakti që kemi pagat të nivelit të njëjtë para fushatës zgjedhore”, shtoi ai.
Gërxhaliu kërkoi që të trajtohet me seriozitet çështja e rezervave strategjike të shtetit, të cilat Kosova aktualisht nuk i ka të ndërtuara siç duhet.
“Besoj që është koha kur duhet që termi rezerva strategjike apo kombëtare i produkteve strategjike të jetë prioritet, të jetë i depolitizuar. Të mendohet në rezerva strategjike në interes të shtetit, qytetarëve dhe të sektorit privat dhe jo vetëm në interes të politikës, sepse fuqia më e madhe apo një ndër indikatorët më të mëdhenj të shteteve të zhvilluara është qëndrueshmëria apo garancia e rezervave shtetërore, të cilat i kanë nga 60 ditë, 120 ditë dhe më tepër,” u shpreh Gërxhaliu, duke shtuar se mungesa e këtij komoditeti në Kosovë rrit rrezikun nga impaktet e drejtpërdrejta të krizave ndërkombëtare.
Ai gjithashtu kritikoi mungesën e kontrollit në treg dhe spekulimet që po ndodhin në dëm të konsumatorëve.
“Në Kosovë ka tregti spekulative. Do të shfrytëzohet ky momentum për të ngritur çmimin e naftës me ndikim të bursave apo jo. Në psikologjinë e tregtarit mësohet që çmimet ngrihen shpejt, por nuk bien kurrë në situatën fillestare. Duhet të mobilizohet inspektorati i tregut, duhet të ketë kontrolle dhe të mos shfrytëzohet ky momentum në dëm të qytetarëve, të bizneseve për përfitime në grupet e caktuara të interesit”, tha për EO, Gërxhaliu.