Gëzim dhe frikë nga mbyllja e shkollave në Kamenicë
Që nga shtatori i këtij viti, vëllezërit Demolli, Kaoni 8 vjeç dhe Froni 10 vjeç nga fshati Krilevë i komunës së Kamenicës udhëtojnë rreth 20 kilometra për të shkuar në shkollën e tyre të re “Dëshmorët e kombit” në Kamenicë.
Kjo është një reformë
e Komunës së Kamenicës për mbylljen e shkollave, të cilat kanë më pak se 20
nxënës në një klasë.
Babai i tyre, Premtoni, thotë se e ka përkrahur reformën e komunës, pasi që,
sipas tij, ai ka vërejtur ndryshim të madh për të mirë te fëmijët e tij në
lëndë të ndryshme.
“Idenë e kam përkrahur, këtë reformën, sepse
këtu kemi mbetur pa nxënës, cilësia e mësimit ishte e dobët shkaku i
moskonkurrencës dhe me katër ose tre nxënës nuk besoj që ka cilësi të arsimit.
Njeriu mundohet për fëmijët dhe unë kam dashur që t’i dërgoj aty ku është më
mirë dhe mendoj që puna më e mirë në Kamenicë që është bërë pas luftës, është
kjo. Fëmijët kanë ecur me gjuhën angleze, me art, gjëra që këtu nuk i kanë
prekur (mësuar)”, thotë Demolli.
Premtoni thotë se fëmijëve të tij u është dashur të ecin në këmbë rreth 1
kilometër e gjysmë për të arritur në shkollën e mëparshme, e për këtë ai thotë
se nuk ndihej i sigurt.
Shkolla e fshatit, në të cilën shkonin të dy vëllezërit Demolli, zyrtarisht është e mbyllur, por mësuesi i kësaj shkolle Osman Ahmeti, i cili ligjëron lëndën e Teknologjisë, është njëri nga pak mësuesit që nuk i bindet vendimit të Komunës së Kamenicës.
Ai vazhdon mësimin me
tre nxënës në klasë, ku njëri nga ta është në klasën e pestë, njëri në të
gjashtën dhe i treti në të shtatën. /REL/
“Këtë vendim ne e kemi pritur me keqardhje, megjithëse fshatit i duhet të ketë
kushte të mira, hapje të shkollave dhe ambulancave, e jo mbyllje të shkollave”,
thotë Osmani.
Osmani thotë se në
klasën e tij janë tre nxënës, të cilët mësojnë me tekste shkollore të vjetra, pasi
që komuna nuk u ka dhënë as tekste, e as ditarë, për mbajtje të mësimit.
“Sa i përket teksteve dhe ditarëve, nuk na i kanë sjellë fare. Qysh nga
shtatori jemi me këto (skripta) në vend të ditarit, këto skripta i kemi
fotokopjuar nga ditari i vitit të kaluar dhe me tekste të vjetra punojmë, ashtu
çka kemi mundësi. Tekstet po shkojnë në Kamenicë, i ka mbuluar pluhuri dhe nuk
duan të na i dorëzojnë tekstet gjoja se ne nuk po shkojmë në Kamenicë. Ku të
shkojmë në Kamenicë dhe ta braktisim fshatin?”, thotë Osmani.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se këtë vendim e kanë
marrë pasi që në raportin e fundit që kjo komunë ka pranuar, shihet rënie
drastike e numrit të nxënësve nëpër shkolla të fshatrave të Kamenicës.
Ai është akuzuar edhe
nga partitë opozitare në këtë komunë, disa prindër dhe mësues se mbyllja e
shkollave ka qenë e panevojshme dhe e ngutshme.
“Kemi punuar për 1 vit, kemi diskutuar me të gjithë, e kemi kuptuar që në më
shumë se gjysmën e shkollave në komunën e Kamenicës, veç në vitin e parë janë
më pak se pesë nxënës për klasë. Rrjedhimisht, ne i kemi disa shkolla ku është
numri shumë i vogël i nxënësve”.
“Kur e kemi shikuar gjatë viteve, rënia e numrit të nxënësve është 44 për qind dhe aktualisht, në Kosovë, ligjërisht e kemi obligim ku një mësimdhënës duhet të jetë për 20 nxënës në klasë, ndërsa ne e kemi raportin që (në Kamenicë është) 1 mësimdhënës me 6 (nxënës). Ne nuk jemi duke bërë diçka të jashtëzakonshme, jemi duke bërë atë që e kemi obligim të jenë 20 nxënës për klasë, jo më shumë”, thotë Kastrati.
Kryetari Kastrati
thotë se komuna ka hasur në sfida të ndryshme pas marrjes së këtij vendimi,
kështu duke u kundërshtuar nga disa mësimdhënës e prindër, por që, sipas tij,
edhe për këtë problem atyre u është ofruar zgjidhje.
“E kemi bërë një zgjidhje, do të thotë, shumë në favor të tyre sa që kemi
arritur në përfundim që asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë. Do të
thotë, asnjë mësimdhënës. Gjatë ri-sistemimit do të ketë prej tyre që mund të
konsiderohen edhe si tepricë teknologjike, por për të cilët ne kemi ofruar pagë
deri në 10 vjet nëse komuna nuk e angazhon diçka tjetër”, shprehet kryetari
Kastrati.
Kastrati thotë se komuna është duke paguar transportin e fëmijëve, të cilët kanë mbetur pa shkollë në fshatrat e tyre.
Komuna e Kamenicës është e para që ka marrë vendimin për t’i mbyllur disa
shkolla që kanë pak fëmijë. Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja nga
Instituti për Studime të Arsimit “EdGuard”, ka thënë se ky vendim ishte i
ngutshëm për shkak të mospërfshirjes së Ministrisë së Arsimit (MASHT) dhe
këshillave të prindërve dhe mësimdhënësve.
“Ne e kemi kundërshtuar iniciativën e Komunës së Kamenicës për mbyllje të
shkollave, jo si të padukur, por për shkak që është e ngutshme dhe e
panevojshme për t’u zbatuar nga një institucion lokal. Ne vlerësojmë që për iniciativa
të tilla për probleme që prekin edhe komuna të tjera dhe që shkon përtej
nivelit lokal, është e domosdoshme që të përfshihet në veçanti institucioni i
MASHT-it. Pra, si politikë- bërës dhe institucion, i cili do të mund të
korrigjonte problemin në fjalë”, vlerëson Qehaja.
Në Komunën e Kamenicës, janë mbyllur 5 shkolla dhe planifikohet që të mbyllen
edhe 14 të tjera.