Giresse vlerëson lojtarët e Kosovës por nuk premton kualifikim

Alain Giresse është përzgjedhësi i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ai të mërkurën është prezantuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në një konferencë për shtyp.
Trajneri francez ka thënë se e njeh Përfaqësuesen e Kosovës dhe ka vlerësuar shumë lojtarët aktualë, të cilët sipas tij janë teknikë dhe pëlqejnë të mbajnë topin. Ai ka thënë se ky stil i lojës i përshtatet shumë atij dhe me padurim pret ta fillojë punën.
“Luajnë si ekip bashkë, duhet të ndërtojmë një ekip me potencialin ekzistues të lojtarëve. Puna është bërë paraprakisht dhe unë jam këtu vetëm për të vazhduar punën, të përparojmë dhe të bëjmë më të mirën. Lojtarët janë shumë teknikë, kanë dëshirë ta mbajnë topin, gjë që më pëlqen shumë. Mua më pëlqen stili i lojës të lojtarëve të Kosovës. Sa i përket ekipit, është me rëndësi ta gjejmë balancin e duhur por edhe mentalitetin, që është i nevojshëm për të treguar lojë të mirë”, ka thënë Giresse. “Para shtatë vjetësh kur kam thënë se Kosova nuk është ekipi më i dobët nuk ka qenë shumë i njohur por unë e kam parë potencialin që e kishte. Ai potencial është dashur të përpunohet për të mos munguar perspektiva pastaj. Për këtë arsye jam këtu, baza e punës është këtu dhe detyra ime është t’ia sjell një dimension ekipit për të qenë garues. Synimi është të formojmë një ekip që do të jep rezultate të mira”.
Përzgjedhësi Giresse ka thënë se nuk ka një synim të caktuar, por gjithmonë duhet besuar se mund të arrihen ambiciet.
Ai ka thënë se Kosova nën drejtimin e tij do të ketë paraqitje të mira në secilin ndeshje dhe kjo automatikisht do të sjellë rezultatet pozitive.
“Gjithsesi duhet ta zhvillojmë potencialin ekzistues, varësisht prej forcës por edhe anëve tjera të ekipit. Të krijojmë një ekip pa ia caktuar vetes një limit se ku dëshirojmë të shkojmë. Duhet të kërkojmë të kemi paraqitje të mira në secilën ndeshje. Në secilën ndeshje të kemi qasje të njëjtë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, të japim më të mirën nga vetja dhe të mundohemi sa më shumë për rezultate më të mira. Nuk mund të them se cilët janë kufijtë e Kosovës por duhet të kemi ambicie sikurse çdo vend tjetër. Secili lojtar që vjen duhet ta ketë këtë ambicie”, ka shtuar Giresse.

“Nuk mund të bëjmë një parashikim për Ligën e Kombeve nëse jemi në grupin e favoritëve por kjo nuk duhet të na shqetësojë pasi loja bëhet në fushë. Ne gjithsesi duhet të japim maksimumin, pa e nënvlerësuar apo mbivlerësuar ekipin që e kemi përballë. Dhe, pse jo mos të besojmë në atë befasinë e këndshme. Nëse nuk kemi ambicie i reduktojmë mundësitë tona. Gjithçka është e mundur në futboll dhe kjo është magjia e këtij sporti. Ne kemi shpresa, gjithsesi. Pra, sigurisht që shpresojmë se do të bëjmë diçka të mirë”.
Në prezantimin e parë si përzgjedhës i Kosovës, Alain Giresse ka deklaruar se ndihet i nderuar që do të jetë në krye të “Dardanëve”. Ai ka thënë se i ka parasysh pritjet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ka shtuar se nuk ka hezituar fare ta pranojë ofertën. Giresse ka thënë se lidhjet e tij me Kosovën datojnë para shumë vjetësh.
“Sot, po zyrtarizohet detyra ime si përzgjedhës i Kosovës dhe jam i lumtur e shumë i nderuar. Unë jetojë në Toulouse dhe atje kam miq kosovar, ku e njoh edhe kryetarin. Para disa viteve kur isha mysafir në Kosovë, ky kryetari aktual nuk ishte në atë post por i ndjeri Fadil Vokrri për të cilin dua ta bëjë një homazh për shkak se kam pasur lidhje shumë të forta me të. Në Francë, kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, kam mbetur shumë i prekur. Për të vazhduar lidhjen time me Kosovën, kur isha në krye të Senegalit kemi luajtur një miqësore me Kosovën në Gjenevë. Në atë kohë, Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe në Senegal më kanë pyetur se kundër kujt do të luajmë dhe iu kam treguar se bëhet për një vend që e njoh shumë mirë. Kjo është lidhja ime dhe për këtë arsye me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë jam pajtuar me kërkesat e kryetarit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me përfaqësuese dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij”, tha Giresse.
Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Alain Giresse, gjithashtu ka thënë se dëshira e tij është që ta krijojë një ekip të vërtetë, i cili lufton dhe nuk dorëzohet në asnjë ndeshje.
“Dua të krijojë një ekip të vërtet, kolektive dhe që nuk dorëzohet në çdo ndeshje. Pra, qoftë ndeshje e lehtë apo e vështirë, dua të shoh shpirtin luftarak por gjithmonë duke e respektuar kundërshtarin. Dua një ekip bujare, që ka mentalitet dhe luan futboll taktik e teknik. Po ashtu, shpresojmë edhe në mbështetjen e tifozëve pasi ata janë lojtari i 12-të në futboll”, tha Giresse.
Kontrata e seleksionuesit të ri të Kosovës, Alain Giresse është e vlefshme deri në fund të vitit 2023. Ai do ta drejtojë Kosovën në eliminatoret për Evropianin e vitit 2024.