Giroud: Milan do të luftojë për Scudetto

Milan koleksionoi triumfin e dytë në Serie A teksa kuqezinjtë mposhtën në shtëpi me shifrat 4-1, Torinon. Edhe njëherë tjetër protagonist ishte Olivier Giroud. Francezi realizoi një dygolësh duke u treguar në dy momente i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas ndeshjes, 36-vjeçari u shpreh se nuk është asnjëherë e lehtë të shënosh nga 11-metrat ndërsa shtoi se Milani nuk i fshihet pretendimeve për titull.
“Jemi shumë të lumtur, ishim me fat që patëm dy penallti në dispozicion, por asnjëherë nuk është e lehtë të shënosh nga 11-metrat. Jam shumë i lumtur për shpirtin që tregon skuadra, jemi treguar shumë efikas në këto dy ndeshjet e para.
Duam të bëjmë një kampionat si ai i dy viteve më parë dhe të luftojmë deri në fund për titullin kampion. Nuk fshihemi për titullin, jemi ndër katër apo pesë skuadrat që e kanë potencialin për të fituar kampionatin. Kemi shumë lojtarë dhe jemi të mbuluar në cdo lloj pozicioni të fushës, kjo skuadër ka kualitet dhe sasi.
A ka një zëvendësues të Giroud? Nuk e besoj, nëse më pyet mua them se nuk ka nevojë për një të tillë”, u shpreh Giroud.