Gjakova pezullon të gjitha aktivitetet sportive

Qeveria e Kosovës mesjavën e kaluar vendosi që gjitha ngjarjet sportive në vendin tonë të zhvillohen pa praninë e publikut.
Mirëpo sot, Komuna e Gjakovës ka sjellë një vendim të ri duke i pezulluar në tërësi aktivitetet sportive.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Gjakovës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka diskutuar për masat që po merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Gjatë kësaj mbledhjeje, në konsultim edhe me anëtarët e KKSB-së, kryetari i komunës, Ardian Gjini ka vendosur që si masa parandaluese për COVID – 19 të bëhet pezullimi i të gjitha aktiviteteve sportive (duke përfshirë këtu ndalimi i mbajtjes së kurseve të ndryshme) dhe të rikrijohet një grup punues i cili do të qëndrojë në kontakt me anëtarët e këshillit dhe institucionet shëndetësore”, thuhet në një njoftim të Komunës së Gjakovës.
Të premten është anuluar ndeshja e basketbollit në mes të Vëllaznimit dhe As Prishtinës.