75 Mall Live Search
15:13 / E Hënë, 18 Mars 2019 / indeksADMonline

Gjakova rikthehet në Telekomin e Kosovës

Komuna e Gjakovës është rikthyer sot në Telekomin e Kosovës, duke nënshkruar kështu kontratë trevjeçare me kompaninë më të madhe telekomunikuese në vend.

Telekomi i Kosovës është duke vazhduar me realizimin e strategjisë për rikthimin e fuqishëm, në kuadër të së cilës është edhe rikthimi i institucioneve, të cilat deri më sot nuk ishin pjesë e kompanisë sonë.

Drejtori i Shitjes  Demir Limaj dhe kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë, në një afat trevjeçar. 

Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Limaj pohoi se për Telekomin e Kosovës çdo konsumator është i vlefshëm, por, rikthimi i konsumatorëve të humbur ka vlerë të shtuar.

“E kemi shumë të qartë se ne operojmë në kushte jo të barabarta me konkurrencën, por, sa i përket cilësisë së produkteve, jemi të pakonkurrencë dhe kjo ka bërë që edhe Komuna e Gjakovës të rikthehet në Telekomin e Kosovës”, shtoi drejtori i Shitjes  Demir Limaj.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjakovës  Ardian Gjini ka shprehur besimin e plotë në shërbimet dhe produktet e Telekomit të Kosovës.

“Padyshim që ne si institucion kemi nevojë për shërbime dhe produkte shumë cilësore andaj përzgjedhja e Telekomit është shumë e qëlluar për ne”, shtoi kryetari Gjini.

Menaxhmenti i korporatës i ka vënë vetes synim që të rikthejë çdo konsumator të humbur dhe njëkohësisht të shtojë edhe shumë konsumatorë të rinj, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/