75 Mall Live Search
13:33 / E Mërkurë, 16 Korrik 2025 / MSH

Gjakovë: Arrestohet një i dyshuar për 17 raste vjedhjesh

Kohët e fundit, në stacionin policor në Gjakovë janë raportuar disa raste të vjedhjes së shtëpive, kryesisht të atyre që janë të pabanuara, pronarët e të cilave jetojnë jashtë vendit.

Vlera e dëmeve të shkaktuara nga këto raste, për momentin, është e panjohur.

Menjëherë pas raportimit të këtyre rasteve, hetuesit policorë, në koordinim të ngushtë me prokurorin kompetent, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe hetime intensive me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Gjatë hetimeve janë analizuar provat e gjetura në vendet e ngjarjes si edhe incizime nga kamerat e sigurisë. Si rezultat i punës së palodhshme hetimore, sot në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Planqor është arrestuar një person i dyshuar, mashkull i moshës madhore, shtetas i Shqipërisë, me inicialet R.M.

Ai dyshohet se është i përfshirë në 17 raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në Gjakovë dhe në disa fshatra përreth.

Gjatë arrestimit dhe kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: një çantë krahu në të cilën kishte mjete të forta që dyshohet se janë përdorur për hapjen e dyerve, dy telefona celularë, një thikë dhe disa sende të tjera që mund të lidhen me veprat penale.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për grumbullimin e provave të mëtejme janë duke vazhduar.