Gjasat janë 75 me 25, kush e fiton derbin e madh sonte, çfarë thonë statistikat?

Ditët e fundit, Beppe Marotta e vlerësoi sezonin e Interit me notën 7, të paktën deri më tani. Vlerësimi do të ishte rritur me të paktën disa pikë, shpjegoi vetë CEO zikaltër, me një kampionat më të mirë. Ky vlerësim parashikon shumë nga ajo që do të ndodhë në vazhdim.
Rrugëtimi në Ligën e Kampionëve nuk do të mjaftojë, të paktën jo plotësisht, për të harruar atë që (nuk) është bërë në Serie A. Le të kujtojmë se në dy vite kemi pasur një titull të shpërdoruar (atë që fitoi Milani) nga zikaltrit dhe tjetri (ky aktuali) i parë me dylbi…
Sidoqoftë, të jesh një hap nga finalja e kompeticionit më të mirë evropian për klubet, nuk është rastësi. Por as nuk mund të merret parasysh, për atë që është Interi sot dhe çfarë është futbolli italian sot, një synim që mund të arrihet çdo vit.
Për Inzaghin janë shkruar gjërat më të mira dhe më të këqija, por ndjesia është se në këtë rrugë ai mund të ketë lulëzuar përfundimisht. Sonte lufton për të prerë biletën drejt Stambollit. Le të themi se 75 për qind është probabiliteti për Interin dhe 25 për qind për Milanin.
Rikuperimi i Leaos iu kthen buzëqeshjen tifozëve të Milanit. Forma e sulmuesve zikaltër iu jep siguri tifozëve të Interit. Në 8 ndeshjet e fundit (mes Serie A dhe kupave), të katër sulmuesit e Inzaghit kanë shënuar: 7 gola për Lautaro Martinez, 5 gola për Lukaku, 3 gola për Dzeko dhe 1 gol për Correan e shumë kritikuar. Jemi në maj, në muajin e Madonnës.
Muaj që ka folur shumë mirë për Interin: 4 ndeshje, 4 fitore, 14 gola të shënuar dhe vetëm 2 gola të pësuar. Nga ana tjetër, rezultati i Milanit në maj është katastrofik: 4 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Më shumë se kaq, mes derbit të parë të Champions League dhe ndeshjes si mysafir në “Picco”, sulmi kuqezi ka mbetur thatë. Pastaj, në ndeshjen e vetme të fituar (atë në shtëpi kundër Lazios) u dëmtua edhe Leao…
Ndeshja e parë gjysmëfinale e Champions-it na lejon të përditësojmë të dhënat euro të dy trajnerëve. Në Champions League, avantazhi i Simone Inzaghit ndaj Stefano Piolit zgjerohet. Trajneri nga Piacenza (që drejton Interin) mburret me një mesatare prej 1.63 pikësh (27 ndeshje: 12 fitore, 8 barazime dhe 7 humbje). Trajneri i Milanit nga Parma përgjigjet me një mesatare shumë më modeste 1.29 (17 ndeshje: 6 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje).
Në derbet “ballë për ballë”, Inzaghi ka fituar 4 herë kundrejt 2 sukseseve dhe 2 barazimeve të Piolit. Ky i fundit kishte mbetur i pamposhtur në tri ndeshjet e para derbi ndaj Inzaghit, i cili deri më tani i ka fituar të gjitha derbet (tre) të luajtur në vitin 2023, pa pësuar gola: 3-0 në janar në Riad, për Superkupën e Italisë (shënuan Dimarco, Dzeko dhe Lautaro Martinez), 1-0 (shënoi Lautaro) në ndeshjen e dytë të kampionatit dhe 2-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League (shënuan Dzeko dhe Mkhitaryan).
Për Piolin, debutimi zyrtar në derbin e Madonninës ishte në krye të Interit, në të vërtetë, në ndeshjen e tij të parë ndonjëherë në pankinën e zikaltërve. Kjo ndodhi më 20 nëntor 2016, përballë Milanit “kinez” të Li Yonghong. Pioli drejtonte Interin “indonezian” të Thohir. Rezultati përfundimtar ishte 2-2; me dopietën e Suso për skuadrën e Montellës, si dhe golat e Candreva e Perisic për Interin e Piolit.
Një Pioli i detyruar të fitojë derbin e kthimit me dy gola diferencë (për të shkuar në shtesë…). Një vepër që nuk ia ka dalë kurrë kundër “kushërinjve”, që kur drejton Milanin. Bilanci total i derbeve të tij: 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje. Dhe tani vijmë te krahasimet direkte në pankinë mes Inzaghit dhe Piolit, që i kanë parë ballë për ballë 21 herë mes Serie A dhe kupave deri më tani.
Bilanci është: 10 fitore për Inzaghin, 5 për Piolin dhe 6 barazime. Vetëm dy herë në këto 21 ndeshje, Pioli e ka mposhtur Inzaghin me dy ose më shumë gola diferencë: në përballjen e tyre të parë (Inter-Lazio 3-0, në kampionatin 2016-2017, me golat e Banega dhe dygolëshin e Icardi) dhe në ndeshjen e dytë të kampionatit 2019-2020 (Lazio-Milan 0-3, Calhanoglu shënoi, Ibrahimovic me penallti dhe Rebic).