Gjashtë familje evakuohen nga shtëpitë e tyre në Malishevë, Paçarizi: Gjendja është e rëndë
Ndonëse nën kontroll, megjithatë situata në komunën e Malishevës vazhdon të jetë e rënduar pas reshjeve të shiut, për çka gjashtë familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Zyrtari për informim në Komunën e Malishevës Artan Paçarizi, për Ekonomia Online ka thënë se rreziku vazhdon ende pasi që po vazhdojnë edhe reshjet e shiut.
“Gjendja aktuale mund të them se është e rëndë në Malishevë, e menaxhueshme, është në kontroll, por megjithatë është gjendje bukur e rëndë për shkak të reshjeve të shiut dhe daljes së shtratit të lumit Mirusha, ku një pjesë e madhe e rrugëve kanë qenë pothuajse gjatë gjithë ditës të bllokuara ose me vështirësi. Momentalisht gjendja është e qetë, por në dy orët e fundit kanë filluar reshjet dhe mund të rritet niveli përsëri. Gjatë ditës ka pasur intervenime në disa raste ku ka hyrë uji në disa shtëpi banimi, në lokale e biznese. Kemi intervenuar në gjashtë raste për largimin apo evakuimin e familjeve nga shtëpitë e tyre, ndërsa nuk kemi pasur ndonjë të lënduar apo ndonjë rrezik për jetën e qytetarëve”, tha ai.
Ai tregoi zonat që janë më të rrezikuara.
“Fshatrat që shtrihen përgjatë Bellanicës, Thanës, Malishevës, Mirushës, Lubishtës, Domanekut dhe Bubelit janë më shumë të rrezikuara, por edhe fshatrat e tjerë që kanë lugina ku rrjedh uji, Buballeci, Drenoci, Dragobili, mirëpo kanë qenë të menaxhueshme”, tregoi Paçarizi.
E sa i përket përmbytjes së parkingut, ai tha se ka ndikuar ngritja e nivelit të ujit në lumin Mirusha.
“Ngritja e nivelit të ujit në lumin Mirusha ka bërë që parkingu të ketë problem, për shkak se shkarkimi i ujit nga parkingu bëhet në lumin Mirusha, mirëpo tash me rënien e nivelit të ujit bie edhe niveli i ujit në parking. Ka rënë, mund të themi mirë, mbi gjysmë metri ujë është pakësuar dhe presim brenda dy ose tri orëve të largohet i gjithë uji nga parkingu”, ka treguar ai.

