Gjashtë të kërkuarit e javës nga policia, dy prej tyre përfundojnë në pranga (Foto)

Gjashtë persona janë shpallur publikisht në kërkim nga Policia e Kosovës brenda një jave. Dy prej tyre, falë bashkëpunimit qytetar-polici kanë përfunduar në pranga ndërsa katër të tjerë, dy ende të paidentifikuar vazhdojnë të jenë në arrati, raporton IndeksOnline.
Policia Rajonale në Pejë po e kërkon publikisht Faton (Shaban) Brahimin, për vrasjen e Bashkim Brahimajt, e ndodhur të shtunën në Novosellë të Pejës.

Ndërsa Policia Rajonale e Gjakovës, po kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dhe arrestuar dy mashtrues të cilët po kryejnë vepra në këtë rajon.
Fotografitë e tyre, të mërkurën u janë shpërndarë mediave ndërsa deri tani nuk ka informacion nëse të njëjtit janë identifikuar.

Edhe Policia e Prizrenit të mërkurën ka shpërndarë fotografinë e një personi të njohur si Burhan Cej.
Ai është nga Mitrovica ndërsa sipas policisë kërkohet për “Vjedhje në Tentative” dhe “Prezantim i rremë”.

Brenda javës janë arrestuar Kushtrim Bojaj dhe Gëzim Azemaj. Që të dy të shpallur në kërkim nga Policia e Pejës. Bojaj kërkohej për vjedhje të rëndë ndërsa Azemaj për arratisje nga burgu.

Kjo formë e re të cilën po e përdor Policia duke publikuar fotografi të të dyshuarve, ka dhënë efekt pozitiv drejt zbulimit të veprave penale dhe arrestimin e të kërkuarve./IndeksOnline/