75 Mall Live Search
15:29 / E Shtunë, 19 Korrik 2025 / A. M.

Gjashtë të lënduar nga përleshja në Lipjan, katër shoqërohen në polici

Disa të rinj janë përleshur fizikisht në një kafene para stacionit të Policisë në Lipjan, këtë të shtunë.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se si pasojë e konfliktit janë lënduar gjashtë persona dhe të njëjtëve u është ofruar tretmani mjekësor.

Katër të dyshuar janë shoqëruar në stacion policor, sipas policisë.

“Sot rreth orës 11:30 është pranuar informata për një rrahje në një lokal në Lipjan. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes gjashtë persona janë lënduar dhe të njëjtëve menjëherë u është ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Dy nga personat e lënduar nën përcjellje të policisë janë duke u trajtuar në QKUK, ndërkohë që katër të tjerë pas trajtimit mjekësor, janë shoqëruar në polici për intervistim”, tha Ahmeti.

Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.