Gjatë ditës mjekët ia vunë drynin ambulancës së një fshati në Gjakovë, s’dihet se ku shkuan!

Një qytetar nga fshati Ponoshec i Komunës së Gjakovës sot gjatë ditës shkoi për të marrë shërbim shëndetësor në ambulancën e fshatit mirëpo atë e hasi të mbyllur.
Ai për Indeksonline tha se ora ishte 14:00, teksa derën e ambulancës e gjeti të mbyllur dhe nuk e mori shërbimin që i nevojitej.
Lidhur me rastin Indeksonline ka kontaktuar Aferdita Spahiu-Shllakun nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjakovës.
Ajo nuk kishte informacion se një gjë e tillë kishte ndodhur, teksa shtoi se mjekët aty punojnë me një ndërrim.
“Është një ndërrim për shkak të pushimeve vjetore që i kanë marrë mjekët, punojnë një ndërrim. Punojnë prej orës 7 deri në 3. Në ora 2 duhet me qenë aty”, u shpreh ajo.
Edhe pse Spahiu-Shllaku tha se do të kontaktojë me drejtorin, e më pas do e sqaronte rastin për Indeksonline, një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Tash po e shiqoj drejtorin edhe po e marr vesh pse. Do ju përgjigjem patjetër”, përfundoi ajo.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Indeksonline nuk ka pranuar ndonjë telefonatë nga personi në fjalë.