14:55 / E Enjte, 12 Janar 2023 / S Z

Gjatë festave rëndohet gjendja në QKUK, pacientët detyrohen t’i blejnë pothuajse të gjitha barnat

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), përballet çdo ditë me mungesë të barnave. Por janë ditët e festave ato që ia vështirësojnë dhe më shumë jetën pacientëve, të cilët duhet t’i blejnë pothuajse të gjitha barnat e materialet tjera, që u duhen për trajtim. E gjithë kjo pasi që ditët e pushimit gjendet n[ pushim dhe Barnatorja Qendrore e QKUK-së. Ndërkaq klinikat nuk furnizohen me barnat e nevojshme për këto ditë feste, që t’i kenë në dispozicion për pacientët.

Një farmacist i cili punon në një barnatore jo larg QKUK-së, në kushte anonimiteti ka treguar për “Indeksonline” se pacientët gjatë ditëve të festave i blejnë pothuajse të gjitha barnat, pasi që ato nuk i kanë klinikat. Ai thotë se pacientët në barnatoren e tij gjatë festave deri në 100 euro në ditë,  kanë blerë barna e materiale tjera dhe pse këto barna gjinden në QKUK, por se barnatorja qendrore nuk punon, e klinikat nuk janë pajisur dhe për ditët e festave.

“Nuk u ndajnë pacientëve terapi sa kanë me marrë në ditë pushimi, ata detyrohen me ble dhe pse ka në QKUK. Kështu ka ndodh për vitin e Ri dhe për festat tjera dhe se pacientët detyrohen të blejnë terapi deri në 100 euro edhe pse ajo terapi gjendet në QKUK”, ka thënë ai.

Ndërkaq nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të “IndeksOnline” se pse kjo po ndodh gjatë festave në QKUK, ku ka mungesë të madhe të barnave që iu duhen pacientëve për trajtim.

Por jo vetëm festave, barnat në klinikat e QKUK -së mungojnë pothuajse çdo ditë. Por pacientët të cilët trajtohen aty hezitojnë të flasin për këtë.  Megjithatë pacienti I.Sh nga Gjilani i cili priste tek Klinika e Onkologjisë thotë se shpesh herë i duhet të blejë barna. E barna të cilën ai e kishte blerë një muaj më parë të cilat i janë dashur për trajtim, janë “Erlotinib”, e cila i kishte kushtuar hiq më pak se 550 euro.  Ai thotë se e ka të vështirë të siguroj paratë për t’i blerë barnat të cilat i mungojnë QKUK-së, pasi që punon në ndërtimtari.

I pyetur se sa vështirë i kanë t’i gjejnë barnat, pasi që barnat e listës esenciale nuk lejohen të shiten në barnatore, ai thotë se i kanë barnatoret e caktuara ku ata mund të furnizohen. E në rast se nuk i gjejnë fare, atëherë thotë se klinika ia ndërron barnat,  duke i zëvendësuar me të tjera./IndeksOnline/