75 Mall Live Search
20:17 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Gjatë seancës, shikohet meçi Joshua – Ruiz në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Për njërin nga të akuzuarit për mashtrim me viza pune gjermane, E.K, bashkë me gjykimin ndaj tij, të rëndësishme duket se janë edhe sportet luftarake.

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai akuzohet bashkë me ish-deputetin M.Z dhe I.K, ka shfrytëzuar rastin që të shikojë një nga meçet e boksit, që me gjasë i ka ikur pa e parë.

Në këtë rast, ata akuzohen për tri vepra penale, atë të mashtrimit, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance, ku ai ka qenë i ulur në bankën e të akuzuarit, për disa minuta e ka shikuar një meç boksi, derisa një nga dëshmitarët dëgjohej në gjykatore.

Në seancën e kaluar, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismajli kishte marr vendim që të akuzuarve në këtë rast, mediat t’i referohen vetëm me iniciale.

Gjykimi ndaj M.Z dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.