75 Mall Live Search
14:56 / E Mërkurë, 29 Prill 2026 / b l

Gjendet automjeti i dytë i përdorur në vrasjen e çiftit Mujeci, çfarë kishte brenda tij

Policia e Lezhës po vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të vrasjes së çiftit Mujeci në fshatin Balldren, ngjarje e ndodhur më 26 prill 2026, ndërsa grupi hetimor ka shtrirë kontrollet edhe në zona të tjera për sigurimin e provave të reja që mund të ndihmojnë në dokumentimin ligjor të autorësisë.

Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se gjatë kontrolleve të kryera mbrëmjen e së martës në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore dhe pranë një kanali në tokë arë, është gjetur një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është përdorur në dinamikën e ngjarjes nga persona të përfshirë si bashkëautorë dhe vëzhgues të lëvizjeve të viktimave.

Sipas të dhënave paraprake, brenda automjetit janë gjetur edhe dokumente që dyshohet se u përkasin personave të shpallur në kërkim. Mjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike për të përcaktuar rolin e tij në ngjarje.

Ndërkohë, forcat e rendit vijojnë kontrollet në terren për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje pasi Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, ndërsa Adriano dhe Florin janë nipat e tij. Genc Mhillaj është vrarë në vitin 2016, ndërsa si autor u akuzuan Kreshnik Mujeci, së bashku me kushëririn e tij, Jozef Mujeci ndërsa në vitin 2018 ishte Gjykata e Shkodrës e cila e shpalli të pafajshëm Mujecin, lidhur me vrasjen në fjalë, me argumentin se “nuk provohej ta kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej”.