12:57 / E Enjte, 03 Shtator 2020 / indeksADMonline

Gjendet një mbetje mortore pas gërmimeve në Mitrovicën e veriut

Pas tentimit të dytë për të gjetur mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovës, autoritet kosovare kanë arritur të gjejnë mbetjen e një trupi, në varrezat e muslimanëve në Mitrovicën e veriut.

Këtë për IndeksOnline, e ka konfirmuar përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur , Bajram Qerkini.

Qerkini ka thënë se pas herës së dytë kanë arritur të gjejnë një mbetje mortore.

“Po unë kam qenë aty derisa u kry e tërë procedura. Ka pas edhe më herët gërmim, por  në herën e dytë u dhanë rezultatet dhe është gjetur një trup”, tha Qerkini për IndeksOnline.

Ai tutje theksoi se në këtë loakcion ka ende shumë punë.

“Lokacioni aty ka punë dhe nuk kryhet aq lehtë, por ky është rezultati aktual”, theksoi Qerkini.

Ndërsa procedurat e pastajme për këtë mbetje mortore vazhdojnë me ekzaminimin ligjor dhe varësisht prej ekzaminimeve përfshire edhe analizës së ADN-së.

Ndërsa nuk është përjashtuar mundësi që në këto varreza të muslimanëve në Mitrovicën e Veriut të gjenden edhe më shumë mbetje mortore , mund të konfirmohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre.

Edhe 2o vite pas luftës, 1643 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Nga ky numër, pjesa më e madhe janë shqiptarë, të tjerët janë serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë. /IndeksOnline/