Gjendet një trup i pajetë në Rahovec, dyshohet se u vra me armë
Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton se sot në orët e para të mëngjesit në fshatin Qifllak të Komunës së Rahovecit është gjetur një trup i pajetë.
“Në orët e para të mëngjesit pikërisht rreth orës 06:00, në fshatin Qifllak, Komuna e Rahovecit, është gjetur një trup i pa jetë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri”, ka njoftuar Prokuroria.
Viktima N.M., ishte 32 vjeç dhe trupi i të njëjtit është gjetur në oborrin e shtëpisë së tij.
Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe me urdhër të tij, trupi i 32-vjeçarit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore./Indeksonline/