Gjendet pa shenja jete brenda veturës së tij një 55- vjeçar, në Prizren
Një 55-vjeçar – taksist është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij mëngjesin e sotëm në rrugën “Hajdar Shala” në Prizren.
Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se i ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e tij të parkuar për një vendparkim të rezervuar për TAXI.
Sipas Bytyqit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.
Policia ka bërë të ditur se gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës.
Ndërsa, rasti është cilësuar si “Hetim i Vdekjes”.
“Më 15.01.2026, natën rreth orës 01:20, policia është njoftuar për një rast se në automjetin e tij gjendet një person pa shenja jete. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Hajdar Shala”, në Prizren, një person mashkull, rreth 55-vjeçar (A.S.), banor i Prizrenit, me profesion taksist, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij. I ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e parkuar në një vendparkim të rezervuar për TAXI. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit. Pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë. Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës. Rasti vazhdon të hetohet si “Hetim i vdekjes” , në bashkërendim me Prokurorinë”, ka deklaruar Bytyqi.

