Gjendja e nënës së presidentit Thaçi është stabile, familja falënderon personelin shëndetësor për kujdesin

Familja e ish-presidentit Thaçi e ka falënderuar ekipin e mjekëve dhe tërë personelin shëndetësor të QKUK-së për kujdesin e treguar për nënën Hyrë Thaçi, e cila po vazhdon të përballet me virusin SARS-CoV-2 në Klinikën Infektive.
Po ashtu, familja e ish-presidentit i ka falënderuar edhe të gjithë familjarët dhe qytetarët që gjatë këtyre ditëve janë interesuar për shëndetin e saj, duke njoftuar se gjendja e nënës Hyrë është stabile dhe po përmirësohet gjithnjë e më shumë.
“Pas interesimit tuaj të madh për shëndetin e nënës sonë, Hyrë Krasniqi-Thaçi, e cila po vazhdon të përballet me virusin SARS-CoV-2 në Klinikën Infektive të QKUK-së, ju njoftojmë se gjendja e saj është stabile dhe po përmirësohet gjithnjë e më shumë.
Në emër të familjes Thaçi shprehim falënderim për ekipin e mjekëve dhe tërë personelin shëndetësor për kujdesin e treguar. Po ashtu, shprehim falënderim për të gjithë ju që gjatë këtyre ditëve jeni interesuar për shëndetin e saj.
Me besim të plotë në profesionalizmin dhe përvojën e mjekëve dhe personelit të QKUK-së, e presim shërimin e nënës nga infektimi me Covid-19.
Nënës sonë dhe gjithë pacientëve të tjerë u urojmë shërim dhe kthim sa më të shpejtë në gjirin e familjeve të tyre”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga familja Thaçi.