14:20 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020 / indeksADMonline

Gjendja me Covid-19 në Podujevë, të rejat e fundit nga kjo komunë

Deri më 1 qershor konsiderohej ndër komunat më pak të prekura me Covid-19, mirëpo situata tashmë ka ndryshuar edhe në Podujevë.

Nga fazat e para të hapjes e deri tani edhe kjo komunë nuk ka ngelur prapa sa i përket numrit të të prekurve me Covid-19.

Koordinatorja e Shtabit emergjent në Komunën e Podujevës, epidemiologia Bedri Rama, për IndeksOnline, ka treguar se aktualisht numri i rasteve aktive me  virusin Corona në këtë komunë ka shënuar 41 raste, ndërsa janë shëruar 49 të tjerë, e me fatalitet kanë përfunduar 5 persona.

Sipas saj shqetësuese mbetet vonesat që po bëhen deri në daljen e rezultateve të testeve që ata i dërgojnë në Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Kjo vonesë pastaj mund të prodhojë edhe situata të tjera, ku personat e infektuar e që nuk e dinë që janë do të mund të kontaktonin me persona të tjerë, e rrjedhimisht virusi nuk do të mund të ndalej.

“11 qytetarë janë testuar sot, çdo ditë testimi po kryhet, përveç të dielave. Mirëpo ne ende jemi duke i pritur rezultatet e datës 9 korrik e deri më 14 korrik. Po vonohet këto rezultate, e kuptueshme numri i madh i testimeve. Mirë do të ishte që këto rezultate të dilnin më shpejtë, shkaku që personat të cilët do të dilnin pozitiv, do të mund të menaxhonim më lehtë e do të vetizoloheshin”, tha Rama për IndeksOnline.

Sipas saj, qytetarët në fillim të hapjes, në qershor nuk respektuar rekomandimet e institucioneve, andaj kemi edhe këtë rezultat si e kemi, me numër kaq të madh të qytetarëve të prekur me Covid-19.

Nga ana tjetër Rama vlerëson se masat e reja, duhet të mirëpriten dhe duhet të respektohen nga qytetarët.

Epidemiologia nga Podujeva, që bartë mbi supe pozitën e koordinatores në këtë situatë pandemie, ka dhe një lutje e apel për qytetarët llapjan.

“Ne i lusim qytetarët që nuk kanë punë aq të nevojshme të mos dalin jashtë shtëpisë, dhe të tjerët që dalin e punojnë , te dalin nga shtëpitë e tyre me masa mbrojtëse  dhe të ruajnë distancën sociale.

Kisha apelu që të gjithë qytetarët që të lajmërohen për testim,  dhe të mos  lajmërohen vetëm qytetarët që kanë pasur kontakt me të infektuar, por ata që kanë pasur kontakt dhe kanë simptoma”, tha Rama.

Ajo theksoi se në qytetin e saj situatë ende është e menaxhueshme, duke treguar kështu se në shtëpitë e të konfirmuarave me Covid-19, bëhet dezinfektimi i rregullt, dhe nuk mungojnë vizitat e shpeshta nga stafi mjekësor. /IndeksOnline/