75 Mall Live Search
14:49 / E Hënë, 17 Qershor 2019 / indeksADMonline

Gjendja në Luginën e Preshevës jo e mirë, deputetët kërkojnë mbështetje nga Qeveria

Gjendja në Luginën e Preshevës është më e keqe se që ka qenë vite më parë, përcjellë Indeksonline.

Kështu kanë konstatuar anëtarët e Komisionit për Arsim, në mbledhjen e mbajtur pas vizitës së bërë në këtë pjesë.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se qeveria duhet ta ndihmojë Luginën.

 “Kam menduar me i shkruar kryeministrit dhe secilit ministër që ta ndihmojmë Luginën e cila për ata që kanë qenë atje, gjendja në Luginë bazuar me krahasimet tash është më e keqe se para katër vitesh prandaj mbështetja nga qeveria është e rëndësishme. Ka mundësi t’iu ndihmohet shqiptarëve të Luginës të cilët janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë”, tha ai.

Lidhur me këtë çështje anëtarët  e tjerë të komisionit kërkuan seancë të jashtëzakonshme.

 “Kemi pa një realitet që atje çka ka ndodhë. Jemi dakorduar si deputetë që t’i thërrasim ministrat e linjave, qoftë të arsimit, kulturës, për të parë se ku është problemi i moszbatimit të një marrëveshje të ministrisë së kulturës. Unë mendoj se nuk kemi nevojë me shkruar letra por me i thirr në përgjegjësi”, tha deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu.

E të njëjtit mendim ishte edhe deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje.

 “Duhet me shpejtësi dy komisionet që kemi qenë në vizitë të thërrasim kryesinë që të gjejmë zgjidhje. Sa më parë të thirret edhe ministri i arsimit për diplomat dhe tekstet shkollore. Duhet me adresua çështjen e licencimit të studentëve të mjekësisë”, tha ajo.

“Rënia drastike e banorëve e tregon moskujdesin dhe mosmbështetjen tonë. Është e domosdoshme me mbajt një seancë dhe me dalë me një rezolutë ose rekomandime”, tha Albulena Balaj nga Nisma.

E Kurteshi tha se për këtë çështje do të mblidhen me komisionin për Administratë dhe do të vendosin për veprimet e radhës.

Komisioni për Arsim, po ashtu diskutoi lidhur me tekstet e reja shkollore dhe riorganizimin e shkollave, për çka u dakorduan që të thirret ministri i Arsimit për raportim. /Indeksonline/