“Gjendje e rëndë, diskriminuese…”, artistët e Teatrit Kombëtar protestojnë para Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë

Artistët e Teatrit Kombëtar sot kanë protestuar para Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë bërë thirrje publike ndaj institucioneve që të reflektojnë mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve, shkruan Indeksonline.

“Ne kemi dhene dhe do te japim gjithçka per teatrin, shtëpine tonë, duke punuar pa orar, në vikende dhe festa zyrtare. Shpesh pa u respektuar as standardet minimale të trajtimit dinjitoz që meriton një artist”, thuhet ndër të tjerash.

Më poshtë keni deklaratën e plotë:
“Sot, permes këtij veprimi simbolik para Ministrisë së Kulturës, ne artistet e Teatrit Kombetar të Kosovës, bëjmë thirrje publike ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës për të reflektuar mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve.
Artistët janë pasuria e një shoqërie dhe ndikimi i tyre shkon përtej skenës apo ekranit, dokumentojnë ngjarjet e rëndësishme historike dhe sociale, përmes krijimtarisë së tyre ata ruajnë dhe përcjellin identitetin kombëtar dhe kulturor brezave të ardhshëm.
Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës ia kujtojmë se puna dhe përkushtimi ynë për Teatrin Kombëtar nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret e të jemi me të degraduarit në rajon, të mos flasim për Europë.

Ne kemi dhënë dhe do të japim gjithçka për teatrin, shtëpinë tonë, duke punuar pa orar, në vikende dhe festa zyrtare. shpesh pa u respektuar as standardet minimale të trajtimit dinjitoz që meriton një artist.
Diskriminimi ligjor që na është bërë, sfidon dinjitetin e profesionit tonë dhe është një gabim që do mbahet mend si ofendimi më i rëndë që i është bërë artistit të Teatrit Kombetar, ky gabim ligjor buron nga ky institucion, i cili do duhej që të kujdesej për artistin dhe kulturën si vlera themelore e identitetit tonë kombëtar.

Ne qëndrojmë këtu sot si dëshmi e bashkimit tonë. Nuk do të ndalemi derisa t’i arrijëe të drejtat tona legjitime, dinjitetin tonë professional dhe respektin që çdo artist meriton. Turpi është i atyre që na kanë detyruar që pa vullnetin tonë të dalim këtu për të kërkuar ato që duhej të na takon me ligj e me të drejtë.
“ Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë” Ne nuk do pushojmë kurrë se kerkuari te drejtat tona.
Me respekt, Keshilli grevist 26.11.2024“../Indeksonline/

