Gjenerali në pension: Ushtrimi “Defender 25” është përgjigje ndaj kërcënimit rus

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerali në pension Kadri Kastrati, e cilësoi ushtrimin ndërkombëtar “Defender 25” si një nga momentet më të rëndësishme strategjike për FSK-në dhe vetë shtetin e Kosovës.
Kastrati tha se pjesëmarrja në këtë stërvitje masive shumëkombëshe, si dhe fakti që Kosova është nikoqire e Komandës së Divizionit të Ballkanit Perëndimor, përbën një privilegj të madh ushtarak dhe diplomatik:“Ushtrimi ‘Defender 25’ ka një rëndësi të veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës në veçanti dhe për Kosovën në përgjithësi, sepse kemi një privilegj të madh që jemi nikoqir të Komandës së këtij divizioni – Divizionit 28, i cili mbulon tërë Ballkanin Perëndimor.”
Sipas tij, në këtë ushtrim marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 28 deri në 29 shtete të ndryshme, dhe ai zhvillohet në tre zona strategjike të Evropës:
“Divizioni i Ballkanit Perëndimor, me seli në Gjakovë, ku ndodhet komanda e këtij divizioni dhe ku jemi nikoqir; pastaj Divizioni i Evropës Lindore, diku në Rumani; dhe Divizioni i Evropës Qendrore, diku në Gjermani.”
Kastrati theksoi se ky ushtrim nuk është vetëm një demonstrim force, por edhe një përgjigje direkte ndaj kërcënimeve të sigurisë të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë:
“Misioni dhe qëllimi i këtij ushtrimi kaq të madh në Evropë ka të bëjë me faktin se Rusia, me luftën në Ukrainë, ka destabilizuar jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por Evropën në përgjithësi. Ushtarakët e NATO-s nuk e dinë nëse Rusia do të ndalet në Ukrainë apo synon të depërtojë më tej në Evropë.”
Sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të FSK-së, Kastrati në Dukagjin u shpreh se është bërë progres në aspektin e rritjes së numrit të trupave, por ka pasur ngecje në zbatimin e planit zhvillimor të vitit 2013:
“Qeveria në ikje e ka rritur buxhetin për forcat e armatosura, por duhet ta kemi parasysh se është rritur edhe numri i personelit – tash janë mbi 4300 deri në 4400 trupa. Sipas një studimi të bërë gjatë kohës kur unë kam drejtuar këtë forcë, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës duhet të kenë në strukturën e tyre jo më pak se 5000 trupa aktivë dhe 3000 rezervë,” përfundoi Kastrati.