20:58 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / Blerim

Gjermanët me policë monitorojnë respektimin e masave antiCOVID-19

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer njoftoi sot se respektimi i masave të reja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit do të monitorohet nga mijëra oficerë të policisë federale.

“Policia federale, në marrëveshje me provincat federale, do të monitorojë pajtueshmërinë në qytetet kryesore dhe vatrat e nxehta të pandemisë së koronavirusit,” ka bërë të ditur Ministria e Brendshme përmes Twitter.

Ministri i Brendshëm Horst Seehofer tha për të përditshmen Bild se policia federale do të kontrollojë gjithashtu të kthyerit nga të ashtuquajturat zona me rrezik.

“Kontrollet do të zbatohen në zonat përgjatë kufirit në një zonë prej 30 kilometrash në brendësi,” tha Seehofer.

Ai tha se kontrollet kufitare nuk do të futeshin, por ata që hynin në vend me vetura gjithashtu do të kontrollohen.

Policia federale, me 40.000 anëtarët e saj, është përgjegjëse për kontrollimin e kufijve dhe pikave të trafikut të tilla si aeroportet, stacionet hekurudhore dhe portet, dhe nuk ndërhyn në kompetencat e policisë në provinca individuale federale.

Policia federale tashmë ka mbështetur policinë në Berlin të shtunën e kaluar gjatë kontrollit të mbylljes së kafenesë pas orës 23.00 dhe ndalimit të alkoolit.

Qeveria federale dhe provincat dje kaluan një paketë të re masash në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, e cila, ndër të tjera, parashikon mbylljen e objekteve të hotelerisë dhe ndalimin e mbledhjes së më shumë se dhjetë personave.