Gjermani, kapen 252 orë të falsifikuara me destinim Shqipërinë
Zyrtarët doganorë të Aeroportit të Frankfurtit, Gjermani, kanë konfiskuar 252 orë dore të falsifikuara. Orët gjendeshin në një dërgesë nga Hongkongu dhe destinimi i tyre ishte tregu i Shqipërisë, ka deklaruar të enjten një zëdhënëse e zyrës doganore.
Krahas orëve të dorës, aty janë gjetur edhe 148 qese përkatëse prej letre me mbishkrimet e falsifikuara të markave të njohura të orëve.
Falsitetin e këtyre orëve e kanë konfirmuar dy prodhues origjinalë, falsifikimet e të cilave janë kapur, kanë deklaruar më tutje zyrtarët doganorë, transmeton albinfo. Çmimi në treg i orëve, sikur ato të ishin origjinale, sillet rreth 60500 euro.
Këtë zbulim, doganierët e kanë bërë më 26 mars, por publikimin e lajmit e kanë bërë të enjten, më 18 prill.
Orët e falsifikuara janë shkatërruar me urdhër të autoriteteve përkatëse. /Indeksonline/