10:21 / E Premte, 30 Prill 2021 / B O

Gjermani, shënon rritje papunësia

Në Gjermani në muajin prill numri i të papunësuar është rritur me 9 mijë të tjerë duke arritur në gjithsej 2 milion e 760 mijë të papunësuar, pavarësisht masave të qeverisë për të mbrojtur fuqinë punëtore.

Në të dhënat e Agjencisë Federale Gjermane të Punësimit (BA) thuhet se pritjet për shifrën e të papunësuarve në muajin prill ishin për një rritje prej 10 mijë.

BA njoftoi se në muajin prill shkalla e papunësisë në vend ishte 6 për qind.

Kreu i Agjencisë Federale të Punësimit, Detlef Scheele, tha se rimëkëmbja në pranverë forcoi tregun e punës dhe shtoi se kufizimet e vazhdueshme të koronavirusit të ri (COVID-19) në shumë zona “ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike, por nuk shkaktojnë ngarkesa të reja”.

Numri i të punësuarve, 747 mijë më pak se para periudhës COVID-19

Ndërkohë, sipas të dhënave nga Zyra Federale e Statistikave Gjermane (Destatis), papunësia në muajin mars 2021 në krahasim me muajin e mëparshëm nuk pati ndryshime. Ndërsa për sa i përket numrit të të punësuarve, ajo u rrit me 16 mijë dhe arriti në 44 milion e 299 mijë.

Në njoftim thuhet se numri i njerëzve të punësuar në vend vazhdon të mbetet nën nivelin para pandemisë COVID-19.

“Numri i njerëzve të punësuar në muajin mars të vitit 2021 ra për 1,7 përqind (747 mijë njerëz) në krahasim me muajin shkurt të vitit 2020, e cila ishte para masave kufizuese”, njoftoi Destatis.

Në Gjermani, ekonomia u tkurr me 4,9 përqind në vitin 2020 për shkak të krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, duke i dhënë fund rritjes së saj të pandërprerë 10-vjeçare.

Banka Qendrore Gjermane (Bundesbank) pret që ekonomia të tkurret në tremujorin e parë të këtij viti, pasi kufizimet e rrepta dhe afatgjata të aplikuara për të parandaluar përhapjen e pandemisë ngadalësuan konsumin privat.