Gjermania akuzon Rusinë për sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror
Gjermania ka akuzuar Rusinë për një sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror dhe përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet federale, duke thirrur ambasadorin rus në Berlin.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se inteligjenca ushtarake ruse qëndron pas një “sulmi kibernetik kundër kontrollit të trafikut ajror gjerman në gusht 2024”. Ai shtoi gjithashtu se Moska kishte synuar të ndikonte dhe destabilizonte zgjedhjet federale të zhvilluara në shkurt të këtij viti.
Këto akuza të reja vijnë në një kohë të shqetësimeve të shtuara në Evropë për sulme të dyshuara kibernetike ruse që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Nga ana e Rusisë nuk ka pasur ende një reagim zyrtar, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ministria theksoi se Gjermania, në koordinim të ngushtë me partnerët evropianë, do të përgjigjet me masa kundër për t’i bërë Rusisë të “paguajë çmimin e veprimeve të saj hibride”.
Gjatë vitit të fundit, edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në punët e tyre të brendshme, përfshirë sulme ndaj organizatave që ofrojnë ndihmë për Ukrainën dhe ndërhyrje në procese zgjedhore.
Sipas Berlinit, sulmi kibernetik i gushtit 2024 mund t’i atribuohet grupit rus të hakerëve Fancy Bear, i lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake GRU.
“Gjetjet tona të inteligjencës e provojnë qartë se shërbimi ushtarak i inteligjencës ruse, GRU, mban përgjegjësi për këtë sulm,” tha zëdhënësi.
Ai shtoi se është tashmë e sigurt që Moska ka tentuar të ndikojë dhe destabilizojë si zgjedhjet e fundit federale, ashtu edhe çështje të brendshme të Republikës Federale të Gjermanisë, përmes një fushate dezinformuese të quajtur Storm 1516.
Kjo fushatë, sipas autoriteteve, u fokusua pjesërisht te kandidati kryesor i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck, dhe te kandidati i CDU-së, Friedrich Merz, i cili sot është kancelar.
Qeveria gjermane njoftoi se agjencitë e sigurisë kishin identifikuar video të falsifikuara që pretendonin manipulim të votave vetëm pak ditë para zgjedhjeve – pjesë e një fushate dezinformimi të atribuar Rusisë.
Ndërkohë, ofruesi gjerman i shërbimeve të navigimit ajror konfirmoi se komunikimet e brendshme të zyrës së tij ishin hakuar në gusht 2024, por theksoi se fluturimet nuk ishin prekur.
Fancy Bear njihet për rrjedhjen e të dhënave të Agjencisë Botërore të Antidopingut dhe për rolin e tij në sulmin kibernetik ndaj Komitetit Kombëtar Demokratik në SHBA në vitin 2016, sipas ekspertëve të sigurisë.
Marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës janë përkeqësuar ndjeshëm pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Gjermania është bërë një prej mbështetësve më të zëshëm të Kievit, duke ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe diplomatike.
Kancelari Friedrich Merz ka bërë thirrje të fortë që asetet ruse të ngrira të përdoren për të mbrojtur Ukrainën dhe ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për luftë kibernetike kundër Gjermanisë.
Megjithatë, tensionet kanë qenë të pranishme prej vitesh. Në vitin 2019, një shtetas rus vrau një çeçen etnik në një park të Berlinit, dhe autoritetet gjermane dyshuan se ai vepronte me urdhër të shërbimeve sekrete ruse, duke çuar në dëbimin e dy diplomatëve rusë.
Moska ka mohuar më herët akuza të ngjashme nga vendet evropiane për sabotim apo veprimtari hibride, dhe ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të fundit nga Berlini.

