75 Mall Live Search
10:48 / E Shtunë, 06 Nëntor 2021 / MSH

Gjermania akuzon Rusinë për vdekjen e diplomatit rus

Një diplomat rus u gjet i vdekur muajin e kaluar jashtë ambasadës së vendit në Berlin të Gjermanisë.

Trupi i pajetë i tij u zbulua në trotuar më 19 tetor nga policia që ruante kompleksin e Berlinit, raportoi Der Spiegel.

“Ai me sa duket kishte rënë nga kati i sipërm, por ishte e paqartë se si”, shkruante Der Spiegel.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë konfirmoi vdekjen e tij, por nuk dha detaje të mëtejshme. Policia në Berlin nuk e ka komentuar publikisht vdekjen, e cila u raportua për herë të parë të premten, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.

Raportet thonë se burri ishte 35 vjeç dhe ishte i listuar si sekretar i dytë i ambasadës ruse.

Uebfaqja investigative Bellingcat tha se kishte përdorur të dhëna me burim të hapur për të përcaktuar se personi ishte djali i zëvendësdrejtorit të Shërbimit të Dytë të agjencisë ruse të inteligjencës, FSB.

Gjermania ka akuzuar Rusinë si urdhërues të vrasjes.

Zyrtarët e Shërbimit të Dytë kanë qenë gjithashtu të lidhur me helmimin e figurës së opozitës ruse Alexei Navalny, në vitin 2020.

Sipas Der Spiegel, ambasada ruse nuk ra dakord për një ekzaminim pas vdekjes së diplomatit muajin e kaluar.

Në një deklaratë, ambasada tha se “procedurat në lidhje me riatdhesimin e trupit të diplomatit u zgjidhën menjëherë me autoritetet përgjegjëse gjermane të zbatimit të ligjit dhe ato mjekësore, në përputhje me praktikat aktuale”.

Ambasada tha se spekulimet që janë shfaqur në një numër mediash, mbi vdekjen e diplomatit, i konsideron të jenë “absolutisht të pasakta”.