75 Mall Live Search
23:24 / E Premte, 21 Qershor 2024 / FR

Gjermania, arreston tre spiunë që përndiqnin një ukrainas

Tre burra u arrestuan në Frankfurt nën dyshimin për spiunazh, thanë autoritetet gjermane të premten, shkruan Politico. Tre të dyshuarit – një rus, Arman S., një armen, Vardges I., dhe një ukrainas, Robert A. – udhëtuan në Gjermani për të mbledhur informacion për një shërbim të huaj të inteligjencës, sipas Zyrës së Prokurorit Federal.

Treshja, të cilët u arrestuan të mërkurën, akuzohen se kanë përcjellë një person nga Ukraina dhe ishin vendosur në një kafene në Frankfurt ku synohej të ishte objektivi i tyre. Zyra e Prokurorit Federal nuk zbuloi se për cilin shërbim të inteligjencës të vendit dyshohet se punonin këta burra.

Arrestimi i spiunëve në Evropë po rritet gjithnjë e më shumë veçanërisht nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në fillim të vitit 2022. Nga Franca në Bullgari, spiunët rusë, që shpesh punojnë nën mbulimin diplomatik, janë dëbuar masivisht.

Javën e kaluar, ministrat e Jashtëm të tetë vendeve të BE-së i shkruan kryediplomatit të bllokut, duke kërkuar që diplomatët rusë dhe familjet e tyre të kufizohen të lëvizin lirshëm në një përpjekje për të “ngushtuar ndjeshëm hapësirën operacionale për agjentët rusë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u zotua gjithashtu të godasë spiunët rusë, duke përfshirë vendosjen e “kufizimeve më të forta ndaj personelit të inteligjencës ruse në të gjithë aleancën”.

Arrestimet në Frankfurt vijnë disa ditë pasi Estonia dënoi një profesor universiteti rus me gjashtë vjet burgim për spiunazh për Kremlinin.