16:06 / E Hënë, 07 Maj 2018

Gjermania, donatori më i madh në Kosovë

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deklaroi sot se Gjermania përmes taksapaguesve të vet është donatori më i madh bilateral në Kosovë dhe kjo është për t’u respektuar, pasi me vite të tëra në shumë sektorë ka pasur një angazhim të madh për mirëqenien e qytetarëve tanë.

Ai këto komente i bëri në tryezën e organizuar me rastin e shënimit të 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

Në tryezën e organizuar me këtë rast nga STIKK dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e përkrahjes së Gjermanisë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit politik dhe ekonomik, me theks të veçantë në përkrahjen ekonomike që ka dhënë shteti gjerman.

“Rruga e futjes së konkurrueshmërisë në Kosovë duhet të shkojë përmes inovacionit dhe ndërmarrësisë, përmes sektorit privat”, tha ministri Beqaj, duke vlerësuar lart rëndësinë e përkrahjes së këtij sektori, që sipas tij po bën revolucion të ri industrial në botë, i cili duhet të shoqërohet me një sërë veprimesh institucionale, në veçanti në fushën e edukimit.

Beqaj ka folur edhe për nisjen e procesit të ndarjes së granteve për OJQ-të dhe inovatorët individual nga MIN, proces ky që pritet të fillojë në pjesën e dytë të muajit maj.

Ndryshe, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka folur edhe për Parkun Rajonal për Inovacion dhe Trajnime në Prizren, që pritet të hapet në fillim të vitit 2019, duke ftuar të gjithë për bashkëpunim në funksionalizimin dhe popullimin e tij me ndërmarrje të reja shërbyese dhe prodhuese.