75 Mall Live Search
14:42 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

Gjermania drejt recesionit

Ekonomia më e madhe e Europës pritet të pësojë një rënie me gati 10 për qind në tremujorin e dytë të vitit si pasojë e efekteve të pandemisë globale. Qeveria po mendon të mbrojë kompanitë vendëse nga blerësit jashtë Bashkimit Europian.

Ekonomia gjermane parashikohet që në tremujorin e dytë të tkurret dy herë më shumë sesa gjatë krizës financiare globale, apo deri 9,8 për qind.

Ky zhvillim i atribuohet masave kundër përhapjes së koronavirusit dhe paralizimit të jetës ekonomike e sociale, kur infeksionet në Gjermani kanë arritur mbi 107 mijë dhe mbi 2 mijë veta kanë mbetur viktima.

“Në pikëpamjen time, Europa, Bashkimi Europian, po përballen me testin më të madh që prej themelimit të vet,” do të shprehej të hënën kancelarja Angela Merkel rreth virusit vdekjeprurës.

Kur pandemia pritet të futë vendin në recesion, qeveria po mendon të mbrojë bizneset kyç nga blerjet e mundshme.

Kancelaria gjermane njoftoi se një legjislacion i ri do të evitojë shitjen e kompanive vendëse te ofertues jashtë Bashkimit Europian, dhe do u ndalojë atyre marrjen e njohurive teknike rreth këtyre kompanive kur oferta të jetë në fazën e vlerësimit.

“Na duhet të konsolidojmë rregullat tejet liberale të tregtisë së jashtme për investitorët e huaj. Kjo bëhet për interes të sigurisë së vendit, që tani i duhet të furnizojë publikun me mallra jetike si vaksinat dhe të mbrojë infrastrukturën e vet kritike,” deklaroi ministri i Ekonomisë, Petër Altmajër.

Megjithëse zyrtarisht nuk flitet për blerës të veçantë, Berlini i druhet kryesisht korporatave kineze që kanë rritur prezencën e tyre në kontinent.

Këtë rrezik e ka pranuar edhe Komisioni Europian, që pritet të nxjerrë udhëzimin përkatës për mbarë vendet e BE-së.