Gjermania e gatshme të paguajë për sistemet amerikane Patriot për Ukrainën

Gjermania synon të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’ia dërguar Ukrainës, tha të enjten kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Ukraina po kërkon me ngulm dhe nguti mbrojtje më të fortë ajrore përballë sulmeve të shpeshtuara dhe rritura nga Rusia me raketa dhe dronë.
“Bisedova për këtë me presidentin [Donald] Trump të enjten e kaluar dhe gjithashtu i kërkova atij ta furnizojë [Ukrainën] këto sisteme”, tha Merz gjatë një konference në Romë për rindërtimin e Ukrainës.
Ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve po bisedojnë për një marrëveshje të mundshme, por ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar, tha Merz.
Merz theksoi se SHBA-ja ka nevojë për disa nga sistemet Patriot për mbrojtjen e vet ajrore, pa treguar se sa sisteme Patriot saktësisht synon t’i blejë Berlini.
Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tregoi më vonë se Gjermania është pajtuar të paguajë për dy sisteme Patriot.
“Gjermania është e gatshme të paguajë për dy prej tyre, tashmë ka një marrëveshje”, tha Zelensky në Romë.
Sipas tij, edhe Norvegjia është zotuar të blejë një tjetër sistem Patriot dhe ta dërgojë në Ukrainë.
Këtë javë, Trump, duke shprehur pakënaqësinë e tij me mungesën e vullnetit nga presidenti rus, Vladimir Putin, për t’u përfshirë seriozisht në bisedime për paqe, tha se kishte miratuar një furnizim me armë mbrojtëse për Ukrainën.
Ai shtoi më pas se kërkesa e Ukrainës për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot do të shqyrtohet.
Gjermania, e cila gjithashtu përdor sistemet Patriot, ka furnizuar Ukrainën me disa sisteme të mbrojtjes ajrore, por Patriotët konsiderohen si më modernët dhe më efektivët.
Patrioti është i aftë të shkatërrojë avionë, raketa balistike dhe raketa lundruese në një largësi rreth 100 kilometra dhe në një lartësi deri në 30 kilometra.
Më herët, Merz premtoi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën gjatë takimit dyditor në Romë, i cili kishte për qëllim diskutimin e mënyrave për të financuar rindërtimin ndërkohë që sulmet ruse vazhdojnë.
“Mbështetja jonë për vendin tuaj është e palëkundur”, i tha Merz Zelenskyt, i cili gjithashtu mori pjesë në mbledhjen e aleatëve të Kievit në kryeqytetin italian.
Duke iu drejtuar Putinit, udhëheqësi gjerman deklaroi: “Nuk do të dorëzohemi”./REL