75 Mall Live Search
23:45 / E Diele, 04 Janar 2026 / F.R

Gjermania investon 3.8 miliardë euro në Arrow 3, sistemi që neutralizon raketat më të rrezikshme

Gazetari Eno Luarasi ka folur në emisionin “Review” për një sistem izraelit të mbrojtjes ajrore, i cili është në përdorim që nga viti 2018, por që ndër vite është avancuar ndjeshëm, veçanërisht në aftësitë për asgjësimin e raketave balistike.

Në një intervistë me Greta Topjana, Luarasi theksoi se Gjermania ka investuar një shumë shumë të lartë për blerjen e sistemit Arrow 3, duke u bërë shteti i parë europian që pajiset me këtë teknologji të avancuar mbrojtëse nga Izraeli.

“Arrow 3 është sistemi izraelit më i avancuar për asgjësimin e raketave balistike. Gjermania është shteti i parë europian që ka një mbrojtje të tillë, të blerë nga Izraeli”, u shpreh Luarasi.

Ai bëri të ditur se projekti kap vlerën e rreth 3.8 miliardë eurove, fond i ndarë nga qeveria gjermane për blerjen dhe instalimin e sistemit. Sipas tij, Arrow 3 është instaluar në dhjetor të vitit 2025 në Berlin, në një bazë ajrore strategjike.

Duke folur për kapacitetet teknike, Luarasi theksoi se ky sistem është i vetmi aktualisht i aftë të neutralizojë raketën balistike “Oreshnik”, të lidhur me arsenalin rus të presidentit Vladimir Putin.

“Edhe pse Arrow 3 lëviz me shpejtësi më të ulët se raketa Oreshnik, arma sekrete e tij është asgjësimi i raketave balistike në fazën e sipërme të fluturimit, pikërisht kur ato kalojnë jashtë atmosferës dhe humbasin shpejtësinë e tyre super të madhe”, sqaroi ai në Euronews.al.

Sipas Luarasit, ky mekanizëm e bën Arrow 3 një nga sistemet më të rëndësishme strategjike të mbrojtjes ajrore në Europë, në një kohë të rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve nga raketat balistike.