75 Mall Live Search
12:41 / E Martë, 12 Gusht 2025 / S Z

Gjermania krijon një grup të posaçëm kundër grupeve djathtiste me ideologji terroriste

Në shtator të këtij viti, autoritetet gjermane do të formojnë një njësi të specializuar të forcave të sigurisë, e cila do të ketë në fokus hetimin, zbulimin dhe luftimin e grupeve djathtiste që përhapin ideologji terroriste, transmeton albinfo.

Referuar mediave gjermane, policia ka vërejtur një rritje shqetësuese të grupeve ekstremiste me prirje djathtiste, të cilat përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të ndryshme përpiqen të rekrutojnë të rinj për t’u bashkuar me këto ideologji të rrezikshme dhe me sfond terrorist.

Qëllimi i kësaj njësie të re të specializuar do të jetë zbulimi dhe parandalimi i veprimeve terroriste që këto grupe mund të planifikojnë dhe ndërmarrin kundër sigurisë së vendit.

Në muajt e fundit, Gjermania ka regjistruar një rritje të arrestimeve të personave me bindje djathtiste ekstremiste, të cilët dyshohet se kanë planifikuar sulme terroriste, përfshirë edhe veprime kundër rendit kushtetues të shtetit.

Autoritetet kanë kryer gjithashtu bastisje masive dhe veprime të tjera hetimore ndaj këtyre strukturave, duke theksuar seriozitetin e kërcënimit që paraqet terrorizmi me sfond djathtist në vend.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se kjo formë e terrorizmit aktualisht përbën rrezikun më të madh në Gjermani, duke e bërë të domosdoshme krijimin e këtij grupi special për t’u përballur me kërcënimet në rritje.