Gjermania ndan 500 milionë dollarë për armë për Ukrainën, pjesë e nismës së re të NATO-s

Gjermania ka njoftuar një mbështetje të re ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 500 milionë dollarësh, në kuadër të nismës së re të NATO-s “Lista e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën” (PURL), raporton SkyNews.
Ministria e Jashtme gjermane bëri të ditur se vendi është i përgatitur të financojë “një nga paketat e para gjithëpërfshirëse të mbështetjes” për Ukrainën, si pjesë e përkushtimit të saj të vazhdueshëm për mbrojtjen e këtij shteti që po përballet me agresionin rus.
“Paketat e mbështetjes do të përfshijnë pajisje ushtarake që ose nuk prodhohen nga industria evropiane e mbrojtjes ose që mund të dorëzohen në shkallën e synuar më shpejt nga Shtetet e Bashkuara sesa nga partnerët evropianë ose Kanadaja,” thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme gjermane.
Përfshirë në këto paketa janë edhe “aftësitë kritike të mbrojtjes ajrore”, theksoi ministria.
Çfarë është PURL?
Nisma PURL (Priority Ukraine Requirements List) është krijuar më 14 korrik si një mekanizëm i NATO-s për të përshpejtuar mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës. Ajo u mundëson aleatëve evropianë dhe Kanadasë që të kontribuojnë financiarisht për blerjen e armëve dhe pajisjeve në sasi të mëdha nga SHBA-të.
Furnizimet më pas mblidhen nga NATO dhe dërgohen në Ukrainë përmes paketave të koordinuara.
Kjo nismë u konfirmua pasi Donald Trump njoftoi se SHBA-të do të furnizonin Ukrainën me pajisje ushtarake dhe municione përmes NATO-s.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Ukraina ka siguruar gjithashtu 1.5 miliardë dollarë armë amerikane të blera nga aleatët evropianë.