16:36 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Gjermania pret me ankth vendimin e Trumpit për Iranin

Gjermania është e shqetësuar se Presidenti i SHBA-së Donald Trump do të vendosë se Irani nuk po respekton marrëveshjen bërthamore, pasi një hap i tillë do të përkeqësonte situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel, tha se Gjermania është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të ndryshuar sjelljen e Iranit në rajon, por pa u dëmtuar marrëveshja, transmeton AktivPress.

“Ne i bëjmë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të mos vënë në pikëpyetje një arritje kaq të rëndësishme që ka përmirësuar sigurinë tonë”, tha ai në lidhje me marrëveshjen e vitit 2015 të arritur nën paraardhësin e Trumpit, Barack Obama.

“Ne jemi të shqetësuar, bazuar në sinjalet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, se presidenti do t’u tregojë ligjvënësve se marrëveshja bërthamore me Iranin nuk po përmbushet”, shtoi Gabriel.

Trump pritet të decertifikojë marrëveshjen historike mes Iranit dhe Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian./AktivPress