Gjermania reagon ndaj kritikave dhe ndryshon radhën e vaksinimit

Me miliona doza të vaksinave “AstraZeneca” janë grumbulluar në frigoriferët e Gjermanisë dhe nuk përdoren. Shkaku është një përzierje midis mosbesimit ndaj vaksinës britaniko suedeze dhe politikës së ngurtë të vaksinimit.
“Use it or lose it”… kështu titullonte të hënën gazeta britanike “Metro” një artikull për politikën e vaksinimit në Gjermani. Shkak ishte lajmi që vinte nga Gjermania javën e kaluar se tashmë një milionë doza me “AstraZeneca” po rrinin të papërdorura në frigoriferët e Gjermanisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gjermanisë, prodhuesit kanë dërguar 1,7 milionë doza qysh javën e kaluar dhe po dërgojnë gjatë kësaj jave edhe 1,8 milionë të tjera. Deri tani nuk janë përdorur as 15 për qind të vaksinave “AstraZeneca”.
Problem imazhi
Një nga arsyet është mosbesimi ndaj vaksinës “AstraZeneca”, e cila thuhet se nuk e ka efektin e duhur ndaj mutantit afrikanojugor, çfarë e ka detyruar Qeverinë afrikanojugore që të mos e përdorte më vaksinën britaniko-suedeze. Por virologu i mirënjohur gjerman, Christian Drosten, tha të martën në një takim virtual ekspertësh se kjo nuk vlen për Gjermaninë. “Ne nuk mund të themi që tani se sa do të përhapet mutanti afrikanojugor në Gjermani”, tha Drosteni. Leif Erik Sanderi, gjithashtu profesor në Klinikën Universitare Charite, tha se “AstraZeneca”, sikurse edhe dy vaksinat e tjera “Biontech-Pfizer” dhe “Moderna” është “në përgjithësi një vaksinë shumë e sigurtë”.
Christian Drosteni, virolog në Kinikën Universitare Charite, Berlin
Por nuk është vetëm imazhi i cënuar i “AstraZenecas”, shkak për mospërdorimin e vaksinës. Është edhe rregullorja e vaksinimit në Gjermani, e cila është tepër strikte. Ajo u jep përparësi moshave të larta, ndërkohë që vaksina “AstraZeneca” është licencuar për grupmoshat nga 18 deri në 65-vjeçare. Edhe sistemi i vaksinimit është organizuar në mënyrë shumë burokratike dhe nuk lejon fleksibilitet, nëse për shembull dikush nuk paraqitet për të bërë vaksinën, kritikojnë ekspertët.
Niveli i vaksinimit ende i ulët
Aktualisht në Gjermani përdoren përafërsisht 180.000 doza vaksinash në ditë, pjssa më e madhe e të cilave janë nga “Biontech” dhe “Moderna”. Deri më 1 mars, janë vaksinuar plotësisht (edhe me dozën e dytë) 2.159.412 persona (pra 2,6 % për qind e gjithë popullsisë). Ndërsa gjithsej numri i personave që kanë marrë nga së paku një vaksinë ishte 4.234.952.
Ndërkohë, sipas burimeve të radiotelevizionit publik gjerman, NDR, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një draft për të ndryshuar renditjen e vaksinimit. Aty parashikohet që të fillohet vaksinimi edhe për moshën nën 65-vjeçare me “AstraZenecan”. Duke filluar nga prilli, do të vihen në përdorim edhe ekipe ambulante vaksinimi, dhe vaksinat do të bëhen edhe te mjeku i kompanisë ose mjeku familjar.
“AstraZeneca” më e mirë se të tjerat?
Thomas Mertensi, kryetar i Komisionit të përhershëm të vaksinimit, Gjermani
Studime të reja nga Skocia dhe Anglia kanë konfirmuar ndërkohë se “AstraZeneca” është madje më e efektshme në parandalimin e infektimit me Covid-19. Ekzistencën e këtyre studimeve i konfirmoi në një intervistë për radiotelevizionin publik gjerman, SWR, Thomas Mertensi, kryetar i Komisionit të përhershëm të vaksinave.
Mertensi tha gjithashtu se Komisioni… po shqyrton mundësinë e licencimit të “AstraZenecas” edhe për grupmoshat më të larta. Për “AstraZenecan” ai tha se “Vaksina nuk e meriton këtë imazh kaq të keq”.