75 Mall Live Search
09:24 / E Enjte, 15 Maj 2025 / MSH

Gjermania rikthen rekrutimin e detyrueshëm ushtarak?

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha sot se ekziston mundësia që vendi të rikthejë rekrutimin e detyrueshëm ushtarak nëse shumë pak njerëz paraqiten vullnetarë për ushtrinë.

Pistorius tha se një program i ri i rekrutimit vullnetar ushtarak do të fillojë këtë vit me qëllim rindërtimin e ushtrisë gjermane, e cila po përballet me mungesë trupash, raporton Politico.

“Kemi rënë dakord që fillimisht do të mbështetemi te vullnetarizmi – një shërbim që fillimisht është vullnetar dhe synon të inkurajojë të rinjtë t’i shërbejnë vendit të tyre.

Dhe e them këtë me qëllim dhe sinqerisht: theksi vihet edhe te “në fillim”, në rast se nuk mund të rekrutojmë mjaftueshëm vullnetarë”, paralajmëroi ai.

Pistorius theksoi se Gjermania do të udhëheqë ushtarakisht së bashku me Francën, Britaninë e Madhe dhe Poloninë, duke shtuar se siguria e Evropës është “përgjegjësi e vetë evropianëve”.

Ai vuri në dukje se Bundeswehr ka rreth 181,500 ushtarë aktivë, që është dukshëm më pak se objektivi prej 203,000 deri në vitin 2031, transmeton euronews.

Rekrutimi është rritur me 20 për qind në fillim të vitit 2025, por “ende kemi shumë pak njerëz për atë që forcat tona të armatosura duhet të arrijnë”, tha ai, duke shtuar se qeveria e re e koalicionit mbështet fushatën e rekrutimit dhe kancelari Friedrich Mertz premtoi sot gjatë një fjalimi në Bundestag se do të krijojë “ushtrinë më të fortë në Evropë”.