15:20 / E Enjte, 11 Janar 2024 / k.v

Gjermania rrezikon bllokada për javë të tëra

Drejtuesit e trenave iu bashkuan protestës njëjavore të fermerëve gjermanë të mërkurën.

Fermerët bllokuan sërish hyrjet e autostradave, duke kërkuar që qeveria të braktisë shkurtimet e planifikuara të subvencioneve të naftës, ndërsa punëtorët e hekurudhave kërkojnë 555 euro më shumë paga, një javë më të shkurtër pune dhe një kompensim të vetëm të inflacionit.

Protestat e fermerëve do të përfundonin me një demonstratë të madhe më 15 janar në Berlin, por presidenti i shoqatës së fermerëve Joachim Rukwied njoftoi se bllokadat e rrugëve mund të vazhdojnë edhe përtej kësaj jave nëse qeveria nuk braktis plotësisht shkurtimet e planifikuara për subvencionet e naftës bujqësore.

Sipas agjencisë Forsa, 81 për qind e gjermanëve janë dashamirës ndaj protestave të fermerëve: 98 për qind e mbështetësve të AfD mbështesin fermerët, rreth 80 për qind e votuesve kristiandemokratë dhe liberalë dhe 60 për qind e të Gjelbërve dhe 70 për qind e votuesve të SPD.

Nëse deri të premten nuk marrin një ofertë të re nga menaxhmenti, janë të mundshme greva të reja të punonjësve të hekurudhave, njoftoi presidenti i Sindikatës Gjermane të Drejtuesve të Trenave (GDL) Claus Weselsky. DB u ofron një pagë 11 për qind më të lartë, por ata e refuzojnë si të pamjaftueshme.

Javën e kaluar, DB ofroi mundësi më të mëdha për zgjedhjen e orarit të punës.

Grevat janë të zakonshme në jetën e biznesit dhe në përgjithësi nuk janë problem – për sa kohë që bllokimet nuk zgjasin me javë.

Megjithatë, grevat e kësaj jave mund të jenë vetëm fillimi, duke qenë se negociatat për paga më të larta janë duke u zhvilluar në disa industri. Kostot e larta të energjisë dhe çmimet e rritura nuk prekin vetëm kompanitë, por edhe punonjësit.