75 Mall Live Search
12:59 / E Martë, 10 Mars 2026 / S Z

Gjetja e mbetjeve eshtërore në Rahovec, Gara: Janë duke vazhduar gërmimet

Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara ka bërë të ditur për KosovaPress tha se janë duke vazhduar gërmimet në Rahovec, pas gjetjes edhe të mbetjeve tjera mortore, të cilat dyshohet se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

Ai theksoi se gërmimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

“Gjatë gërmimeve që janë kryer dje po ashtu është hasur në mbetje mortore që potencialisht i përkasin një viktime ose një individi po edhe kjo do të përcaktohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e ekzaminimit mjekoligjor në kuptim të identifikimit përmes analizës së ADN-së. po vazhdojmë me gërmime edhe sot edhe ditët në vijim deri në trajtimin e plotë të të gjithë hapësirës tani më të shënuara si zonë me interes”, tha ai.

Gërmimet në Rahovec kanë filluar që nga dhjetori i vitit 2025 por që kanë pasur dy herë ndërprerje për shkak të kushteve jo të mira atmosferike.

“Realisht siç e kemi bërë publik ose të njohur për publikun ne jemi rikthyer në lokacionin Përzhina në Rahovec me komunikim me banorët e Rahovecit. Pra në dalje të qytetit të Rahovecit afër varrezave të qytetit, më saktësisht afër varrezave të dëshmorëve. Këtij lokacioni i jemi rikthyer me datë 4 mars meqë gërmimet që kemi filluar në fund të vitit të kaluar, pra gjatë vitit 2025 për shkak edhe kushteve të papërshtatshme të motit, po edhe për shkak të nevojës ose domosdoshmërisë për të rivlerësuar të gjithë dokumentacionin e mundshëm”, u shpreh Gara.

Ndërkaq Gara tha se numri i saktë i individëve të zhvarrosur do të përcaktohen kur të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

“Gjatë gërmimeve gjatë vitit të kaluar është arritur të gjenden dhe zhvarrosen mbetjet mortore të dy personave dhe disa pjesë kockore ose pra dy individëve dhe disa pjesë kockore. Po ashtu gjatë javës së kaluar janë gjetur mbetje mortore që në këtë rast ka mbetur të përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur gjatë javës së kaluar, pra gjatë gërmimeve që kanë filluar me 4 mars. Meqë ra fjala, numri i saktë i individëve të zhvarrosur do të përcaktohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore”, tha ai.

Sipas Policisë së Kosovës, mbetjet mortore të gjtura më 9 mars, dyshohet se i përkasin se paku një individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Arsyeja pse jemi rikthyer në këtë lokacion ose pse po e trajtojmë këtë lokacion siç e kemi bërë publike edhe më parë ndërlidhet me faktin që gjatë shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha informatave që posedojmë si komision qeveritar, përfshirë edhe informatat që kemi siguruar nga arkiva ndërkombëtare, kemi konkluduar që përkundër gërmimeve që janë realizuar gjatë viteve ose ndër viteve në këtë zonë në këtë lokacion, potencialisht në këtë hapësirë vazhdojnë të jenë mbetje mortore ose kufoma të edhe 8 viktimave ose të paktën 5 individëve që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur”, u shpreh Gara për KosovaPress.

Procesi i gërmimit po realizohet sipas planifikimeve dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht sektorit për persona të zhdukur në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.