Gjigandi i hoteleve përballet me falimentim, e ardhmja e 125 hoteleve është e pasigurt
Një rrjet i madh hotelesh me seli në Gjermani që operon qindra prona në të gjithë Evropën ka deklaruar falimentimin, duke e lënë të pasigurt të ardhmen e më shumë se 120 lokacioneve.
Revo Hospitality , i njohur më parë si HR Group, është operatori i tretë më i madh i etiketës së bardhë në Evropë, që menaxhon hotele nën markat e veta dhe globale, nga markat e nivelit të mesëm deri te ato luksoze si Hilton, Hyatt, IHG, Accor, Marriott dhe të tjera.
Grupi Revo menaxhon më shumë se 260 hotele dhe rreth 39,000 dhoma në 12 vende evropiane. Numri më i madh i hoteleve janë në Gjermani dhe Austri, një total prej 125 hotelesh që ata pretendojnë se do të mbeten të hapura dhe do të vazhdojnë të punësojnë afërsisht 5,500 punëtorë.
Në rastin e Revo Hospitality, bëhet fjalë për falimentim me vetë-menaxhim, një procedurë ligjore në të cilën kompania pranon se aktualisht nuk është në gjendje të përmbushë siç duhet të gjitha detyrimet financiare, por vazhdon të operojë nën mbikëqyrjen e gjykatës. Menaxhmenti mbetet në krye të kompanisë, hotelet mbeten të hapura dhe qëllimi i procedurës nuk është likuidimi, por ristrukturimi financiar.
Në njoftimin e kompanisë thuhet se kriza ekonomike në Gjermani ka kontribuar më shumë në problemet me të cilat përballen kompanitë në grup, veçanërisht rritja e kostove të punës dhe një rritje e ndjeshme e pagës minimale, por edhe kostot më të larta të qirasë, energjisë dhe ushqimit./Indeksonline/

